2008-03-13 19:11:59

Rubrika "365 ditë": Shtegtimi për në Santiago të Kompostelës, ecje drejt Hyjit


(13.03.2008 RV)RealAudioMP3 Në se nuk do të arrijnë në vendin e caktuar për strehim para se bjerë nata, do të vdesin nga e ftohta ose do të shqyhen nga ujqërit. Shtegtarët që vdesin në shtegtim drejt Santiagos së Kompostelës, natyrisht e kanë qiellin të siguruar, por Gulielmi e ndjen veten tepër të ri, për ta lënë këtë jetë. E, ndryshe nga disa prej shokëve të tij të udhës, të cilët nuk janë më të rinj, si ai, e shtegtojnë me shpresën se Zoti do t’ua falë fajet e tyre të rënda, vrasjet, plaçkitjet, tradhtitë, Gulielmi është nisur me shpirt krejt të pastër, të lehtë, si krah engjëlli. Shtegton për të parë një vend të ri e, kryesisht, për të ecur drejt Hyjit. Ishte famullitari i tij ai, që ia mbushi mendjen të nisej. I tha:
“Ti je i ri e sigurisht i bën vetes pyetjen, që ia bëjnë gjithë të rinjtë: - Cili është kuptimi i jetës? Ç’duhet të bëj? Në ç’rrugë duhet të ec, për ta gjetur këtë kuptim? Atëhere, pse nuk shkon në Santiago të Kompostelës? Ke gjithë jetën përpara për të punuar…”.
E kështu Gulielmi u bind. Në atë kohë shtegtimi në Santiago të Kompostelës ishte më i rëndësishmi, pas atij në Romë, për të nderuar kujtimin e Apostujve Pjetër e Pal. E nuk është aspak humbje kohe të zbulosh një skaj të botës, ku mund të bisedosh me Zotin për të zbuluar cila është rruga që duhet të ndjekësh, për të arritur tek Ai. Në Kompostelë nderohet Shën Jaku, njëri nga të Dymbëdhjetë Apostujt e Jezusit, që kishte ungjillëzuar Spanjën. Në vitin 808 ipeshkvi Teodomiri, gjeti ç’kish mbetur nga varri i tij prej mermeri, në skajin më të largët të vendit, në Galici, në një arë që ndriçohej prej një ylli vezullues. Prej këndej edhe emri ‘Kompostela’. Vjen nga latinishtja campus, që do të thotë arë, e stella, që do të thotë yll.
Që atëherë ky shtegtim tërheq turma vigane nga gjithë Evropa.
Por, të rikthehemi tek shtegtarët tanë të kapitur nga rruga e gjatë, ende larg strehës së sigurtë. Po zbret nata e Gulielmi ndjehet tejet i lodhur. I kanë shterruar të gjitha forcat. Nga larg dëgjohet ulurima e lukunisë së ujqërve… Por ai, çuditërisht, nuk trembet fare: zbulon mirësinë e Zotit. Gjatë gjithë rrugës ka takuar njerëz tepër fisnikë, të gatshëm për t’i ndihmuar shtegtarët. Natyrisht nuk kanë munguar as kusarët, me të cilët është ndeshur, por tani këto ndeshje janë vetëm një kujtim i keq. Gjëja që e ka magjepsur më shumë, është bukuria e natyrës.
Papritmas shikon një mori dritëzash që afrohen, afrohen… Janë dritat që mbajnë në dorë murgjërit, të cilët i presin shtegtarët e i shoqërojnë deri te streha, ku do të kalojnë natën. Që nga ajo ditë Gulielmi është i sigurtë se Zoti e ndjek hap pas hapi dhe e ruan, kudo që të jetë.
Shtegtimi që përshkruam, nuk është legjendë, as përrallë. Është realitet i të gjitha kohërave. Edhe sot e kësaj dite mijëra shtegtarë nisen në këmbë drej Santiagos së Kompostelës, për të kërkuar vetveten e Hyjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.