2008-03-13 19:07:12

Përfundoi në Vatikan mbledhja për Kinën. Papa ripohon impenjimin në favor të katolikëve kinezë


(13.03.2008 RV)Përfundoi dje në Vatikan mbledhja e Komisionit, që Papa Benedikti XVI ka ngritur për të studiuar çështjet e jetës së Kishës në Kinë. Takimi, që filloi të hënën e kaluar, pati si temë Letrën e Papës drejtuar katolikëve kinezë më 27 maj 2007. “Pjesëmarrësit – thuhet në komunikatën përkatëse të Sallës së Shtypit të Vatikanit – shqyrtuan pikë së pari, si është pritur Dokumenti papnor brenda dhe jashtë Kinës. U reflektua mbi parimet teologjike, fyrmëzuese të Letrës, për të nxjerrë perspektivat që lindin prej saj për bashkësinë katolike në Kinë”. Pikërisht nga teksti papnor, dolën disa aspëkte të rëndësishme për misionin e Kishës si “mjet shpëtimi e shëlbimi” për popullin kinez: ungjillëzimi në një botë që jeton në globalizim; zbatimi, në kushtet e Kinës, i doktrinës së Koncilit II të Vatikanit mbi natyrën dhe strukturën e Kishës; falja dhe pajtimi brenda bashkësisë katolike; kërkesat e së vërtetës dhe të dashurisë e bamirësisë; qeverisja e dioqezave, që ka rëndësi të madhe për aktivitetin baritor dhe për formimin e meshtarëve, seminaristëve, rregulltarëve, rregulltareve e besimtarëve laikë. U ripohua dëshira për një dialog konstruktiv me autoritetet civile. Mbledhja përfundoi me një takim me Atin e Shenjtë. Benedikti XVI dëgjoi rezultatet dhe inkurajoi pjesëmarrësit që ta vazhdojnë punën në favor të bashkësisë katolike në Kinë. Kujtoi së fundi, takimin e 24 majit, Ditës botërore të lutjes për Kishën në Kinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.