2008-03-12 17:28:07

Feith: UNMIK-u nuk është i serbëve dhe Eulex-i i shqiptarëve


(12.03.2008 RV)Kreu i Eulexit në Kosovë, Peter Feith, në deklarata për mediat serbe, ka kërkuar që misioni evropian të veprojë në krejt territorin e vendit e të mos ia lerë veriun vetëm UNMIK-ut. Sipas Feith, fakti që UNMIK-u po spostohet në veri mund të krijojë idenë e gabuar se ai është i serbëve, ndërsa Eulexi i shqiptarëve. Gjithashtu, Feith e ka bërë të qartë se ndërtimi i shtetit të ri u takon organeve kompetente kosovare dhe ai do të përdorë pushtetin e tij vetëm nëse është me të vërtetë e nevojshme. Përsa i përket policëve serbë, që janë larguar nga UNMIK-u, Feith theksoi se dyert janë të hapura, por Beogradi u jep atyre rroga më të larta.

Gjatë këtij viti, Kosova do të hapë rreth 20 ambasada në të gjithë botën. Deri tani, vendet që e kanë njohur Kosovën zyrtarisht janë 27, por shumë të tjerë kanë deklaruar se do ta njohin. Përparësia e qeverisë në këtë moment është pjesëmarrja në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.


U hap sot në Prishtinë konkursi për himnin kombëtar të Kosovës. Siç shpjegoi kreu i parlamentit, Jakup Krasniqi, himni duhet të ndjekë rregullat e sugjeruara nga plani i Ahtisarit. Konkursi do të vazhdojë për 30 ditë e kompozimet e propozuara nuk duhet të jenë më të gjata se 60 sekonda e më të shkurtra se 30. Tani për tani, Kosova përdor himnin e Bashkimit Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.