2008-03-11 19:00:42

Kremtimet e Javës së Shenjtë të Pashkëve të kryesuara nga Papa Benedikti XVI


(11.03.2008 RV)Ritet e Javës së Shenjtë, që Papa Benedikti XVI do t’i kryesojë duke filluar nga 16 marsi, e Diela e Larit, këtë vit do të tërheqin vëmendjen e Kishës Katolike ndaj bashkësive të krishtera të Kubës e të Kinës. Në meshën që Ati i Shenjtë do të kremtojë të Enjten e Madhe në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, me larjen e këmbëve të 12 meshtarëve, siç është traditë, do të mblidhen oferta në mbështetje të jetimores “La edad de oro” të Havanës në Kubë, që u vizitua gjatë javëve të kaluara nga kardinali-Sekretar i Shtetit, Tarçizio Bertone. Të Premten e Madhe, Papa Racinger do të kryesojë “Udhën e Kryqit” në Koloseum, gjatë së cilës do të lexohen meditimet e shkruara nga kardinali i Hong Kongut, Jozef Zen Ze Kiu.
Pa dyshim kremtimet e Atit të Shenjtë fillojnë të dielën e ardhshme, Të Dielën e Larit, me festën e Ditës XXIII botërore të rinisë, në nivelin dioqezan. Bekimi i degëve të ullirit e të palmave, procesioni, Mesha e Mundimeve të Krishtit do të karakterizojnë ditën e dielë, në të cilën përkujtohet hyrja e Krishtit në Jeruzalem. E para se t’i takojë të dielën, Benedikti XVI do të shihet më të rinjtë, që përgatiten për takimin rinor të Sidneit në korrik të këtij viti, të enjten në orën 17.30 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, për një liturgji pendestare.
Gjatë javës shenjte, prologu i Triditëshit të Pashkëve është Mesha e Bagmit e së Enjtes së Madhe, që Papa e kremton sëbashku me kardinajtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët në Shën Pjetër, në orën 9.30. Pasdite, në orën 17.30, Mesha in Coena Domini dhe ofertat për Kubën. Të Premten, në orën 17, Ati i Shenjtë do të kremtojë Liturgjinë e Fjalës, Adhurimin e Kryqit dhe Ritin e Kungimit e më pas, në orën 21.15 do të kryesojë Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, arenë e martirizimit të të krishterëve të parë. Riti i së Shtunës së Madhe, Nata e Pashkëve, do të fillojë këtë vit në orën 21. Benedikti XVI do të bekojë zjarrin e ri jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit e pas hyrjes me procesion në Bazilikë me qiriun e Pashkëve e me këngen Exsultet, do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës, të Pagëzimit dhe Eukaristike. Të Dielën e Pashkëve, 23 mars, Papa do të kremtojë Meshën Shenjte në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në orën 10.30 e së fundi, nga Llozha qendrore e Bazilikës do të japë bekimin Urbi et Orbi.








All the contents on this site are copyrighted ©.