2008-03-10 17:44:12

Në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI bëri thirrje kundër dhunës në Tokën Shenjte e në Irak; kërkoi lirimin e ipeshkvit irakian Rahho dhe i ftoi të rinjtë në DBR.


(10.03.2008 RV)RealAudioMP3 Paqe e solidaritet për Tokën Shenjte, në vend të dhunës e tmerrit. Shqetësim i thellë për fatin e kryeipeshkvit kalde, imzot Rahhos dhe për irakianët që vijojnë të jenë viktima të një dhune të verbër e të pakuptim. Kjo ishte thirrja e dyfishtë e Benediktit XVI, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar dje në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit. Pak para lutjes, Papa, i frymëzuar nga Ungjilli i së Dielës së pestë të Krezhmëve, që flet për ringjalljen e Lazrit, pohoi se sipas fesë, vdekja e korpit është rënie në gjumë, nga i cili Zoti mund të na zgjojë në çdo çast”. Ndërsa pas thirrjeve për Tokën Shenjte dhe Irakun, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë në Liturgjinë pendestare, në Bazilikën e Shën Pjetrit, të enjten e ardhshme, kremtim ky përgatitor për Ditën Botërore të Rinisë të Sidneit.
Në ditët e kaluara, dhuna e tmerri e gjakosën përsëri Tokën Shenjte, duke ushqyer spiralen e shkatërrimit e të vdekjes, që duket e pafundme. Ndërsa ju ftoj t’i luteni me ngulm Zotit të Gjithëpushtetshëm për dhuratën e paqes në këtë zonë, dëshiroj t’ia besoj mëshirës së Tij viktimat e shumta të pafajshme dhe t’u shpreh solidaritetin tim familjeve të të plagosurve”.
Lutja e Engjëllit të Tënzot, e cila fliste për ringjallje e besim në Krishtin, dhurues i jetës, i kujtoi Benediktit XVI, menjëherë pas lutjes mariane, barbaritë e përgjakshme që u rikthyen, për të tronditur përsëri rëndë shpresat për paqe në Lindjen e Mesme:
Inkurajoj autoritetet izraelite e palestineze të vijojnë përpjekjet për ndërtimin, përmes bisedimeve, të ardhmërisë paqësore e të drejtë të popujve të tyre dhe të gjithëve u lutem, në emër të Zotit, të largohen nga udha e urrejtjes dhe e hakmarrjes e të ecin, me përgjegjësi, në rrugën e dialogut e të besimit”.
E më pas, Benedikti XVI kujtoi skenën e Irakut, ku luhet një dramë tjetër, e ngarkuar me tension e ankth:
“Këtë uroj edhe për Irakun, ndërsa dridhemi akoma për fatin e Shkelqësisë së Tij, Imzot Rahhos e të shumë irakianëve, që vijojnë të jenë viktima të dhunës së verbër e absurde, e cila sigurisht është krejt në kundërshtim me vullnetin e Zotit”.
Para se të shprehte shqetësimet e tij e të lutej për përfundmin pozitiv të dramave në vendet e Lindjes së Mesme, Benedikti XVI foli për jetën e vdekjen, fenë e shpresën, duke ndjekur fillin e Ungjillit, që na tregon ringjalljen e Lazrit. Rikthimi i tij në jetë – tha Papa - në një farë mënyre duhet parë si paralajmërim i vdekjes për Jezusin. Me këtë mrekulli të madhe e të fundme – ringjalljen publike të vëllaut të Martës e të Marisë - Krishti u jep Kryepriftërinjve të Sinedrit dhe skribëve (shkronjësve) ‘provën e gjallë të hyjnisë së tij’: është pikërisht mrekullia ajo që i tërbon e i shtyn të mendojnë për ta mbytur Nazarenin. Por episodi përmban edhe vlerat e mëdha humane: miqësinë, mëshirën e dhimbjen për vdekjen e njeriut të dashur, vetë thelbin e misionit tokësor të Jezusit: fitoren e Hyjit mbi vdekjen. “Mikun tonë, Lazrin, e ka zënë gjumi; po shkoj ta zgjoj” u thotë Jezusi nxënësve të vet tejet të habitur. Hyji – pohoi Papa - e shikon vdekjen fizike si gjumë, nga i cili mund të na rizgjojë.
“Ky sundim mbi vdekjen, nuk e pengoi Jezusin të provonte dhimbje për ndarjen nga njeriu i dashur. Duke parë lotët e Martës, të Marisë e të atyre që kishin shkuar për kryeshëndosh, edhe Jezusi u prek thellë në shpirt, u turbullua e më në fund, shpërtheu edhe ai në vaj. Zemra e Jezusit është hyjnore-njerëzore: në Të Hyji e njeriu takohen përsosurisht, pa ndarje, pa pështjellim. Ai është shembëllimi, madje, mishërimi i Hyjit, që është dashuri, mëshirë, dhëmbshuri atërore e amtare, jetë”.
Edhe Marta, motra e Lazrit, në një farë mënyre shprehu pakënaqësinë për arritjen me vonesë të Jezusit. Por pati privilegjin të dëgjonte, nga goja e vetë Mësuesit, pohimin, që është zemra e mesazhit të krishterë: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta; kush beson në mua, edhe në se vdes, do të jetojë; kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë në amshim”. E të njëjtën pyetje, që ia bëri Martës më pas: “A e beson ti këtë?”, Krishti ia bën prej dynmijë vjetësh secilit nga ne – ripohoi Papa dhe vijoi:
Një pyetje që e kapërcen aftësinë tonë për të kuptuar e që na fton t’ ia besojmë veten atij, ashtu si ia besoi ai Atit. Shembullore përgjigjja e Martës: “Po Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhet të vijë në botë”. Po, o Zot! Edhe ne besojmë, megjithë dyshimet tona e paqartësitë tona; besojmë në Ty, sepse ti ke fjalët e jetës së pasosur; duam të besojmë në Ty, që na dhuron shpresën e sigurtë të jetës së përtejme, jetës së vërtetë e të plotë në mbretërinë tënde të dritës e të paqes”.
Kur Benedikti XVI – gjatë përshëndetjeve pas Engjëllit të Tënzot, i ftoi të rinjtë e dioqezës së Romës në Liturgjinë pendestare, që do ta kryesojë të enjten, më 13 mars, në Bazilikën e Shën Pjetrit, turma poshtë dritares së Papës u përgjigj me një duartrokitje e stuhishme:
“Do të jetë një çast i fortë i përgatitjes për Ditën XXIII Botërore të Rinisë, që do ta kremtojmë të Dielën e Larit e që do të arrijë kulmin në korrikun e ardhshëm, me takimin e madh të Sidneit. Të dashur të rinjt të Romës, ju ftoj të gjithë në këtë takim me mëshirën e Zotit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.