2008-03-10 18:30:27

Jep dorëheqjen qeveria në Serbi. Zgjedhjet e parakohshme më 11 maj.


(10.03.2008 RV)Qeveria serbe jep dorëheqjen, duke i hapur kështu rrugën shkrirjes së parlamentit dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Sipas të gjitha gjasave, data e mundshme do të jetë 11 maji, por presidenti Tadiç nuk mund ta shpallë atë zyrtarisht më herët se 60 ditë para votimeve. Formalizohet kështu përçarja për çështjen e Kosovës dhe të integrimit evropian, në gjirin e ekzekutivit të Beogradit.
Ndërkaq, presidenca sllovene e Bashkimit Evropian uron që në këto zgjedhje të reja, të fitojnë bindshëm europeistët. Ministri i jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, në mbledhjen me homologët e tij evropianë në Bruksel, tha se për miqtë serbë nuk ka alternativë tjetër, përveçse Bashkimit Evropian. “Përpjekjet e Bashkimit Evropian duhet të jenë të tilla që ta mbajnë Serbinë të lidhur pas Brukselit”, kërkoi edhe ministri i jashtëm britanik, Dejvid Miliband e homologu francez, Bernard Kushner.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch (Hjumën Rajts Uoç) dhe Amnesty International, tërheqin vëmendjen mbi efikasitetin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Në vazhdën e disllokimit të misionit evropian Eulex në vend, organizatat i kërkojnë që të jetë më i përgjegjshëm se misioni UNMIK dhe të përmirësojë gabimet e bëra prej tij. Si shembuj përmenden ngjarja e shkurtit 2007, kur policia përdori plumba gome kundër demonstruesve, si rezultat i të cilave humbën jetën dy persona, dhe puna e pamjaftueshme për caktimin e gjyqtarëve e prokurorëve që nuk ndikohen politikisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.