2008-03-08 17:42:15

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(09.02.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e pestë të Kohës së Krezhmëve. U përkujtuan edhe Shën Françeska Romake, Dyzet Martirët e Sebastes dhe Shën Katerina e Bolonjës.

Nesër, e hënë, është festa e Shën Simpliçit papë, e Shën Makarios dhe e Shën Gjonit Ogjilvje, meshtar jezuit e martir. Liturgjia e festës na kujton se kush e mbështet gjithë shpresën në Hyjin, kupton, ashtu si Suzana, se Zoti nuk e braktis kurrë atë që e dëgjon fjalën e tij dhe i vjen në ndihmë në çastin e vështirë. Prandaj kush ecën pas Bariut të Mirë, nuk ka frikë nga asnjë e keqe.

Dëgjoje, o Zot gjëmën e të mjerit. Ti na flet sot për Kryqin, duke na kujtuar se mjafton ta kundrojmë, për të pasur jetën e vërtetë e për të kuptuar kush je Ti! Na ndihmo ta kuptojmë Kryqin tënd e të ndjekim rrugën tënde, sidomos këto ditë, kur kryqi është më i pranishëm se kurrë në jetën tënde, në jetën tonë. Këtë na kujton liturgjia në festën e Shën Sofronit, ipeshkëv i Jeruzalemit dhe Shën Eulogjit, meshtar e martir, që do të përkujtohen të martën.

 
Shën Maksimiliani martir e Shën Inoçenci papë, që Kisha do t’i festojë të mërkurën, na kujtojnë se Zoti i uron çdo të krishteri ta shikojë fenë si qendër të jetës, në se dëshiron të jetë njeri plotësisht i lirë, që e njeh të vërtetën.

Feja është dhurata më e madhe që Hyji mund t’i bëjë njeriut. Është pikërisht feja ajo që, ashtu si Abrahamin, na bën të aftë ta lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Zotit, me sigurinë se planet e Tij për çdo njeri do të japin fryte nga breznia në brezni. Ky është meditimi kryesor në festën e Shën Sabinit martir, të Shën Kristinës martire e të Shën Leandrit, ipeshkëv i Siviljes, që do të kremtohen të enjten.

 
Feja që Hyji ia dhuron të gjithëve, ka nevojë për përgjigjen e njeriut, për besimin e tij në Fjalën hyjnore. Për fat të keq, jo të gjithë njerëzit kanë guximin ta lëshojnë veten pa asnjë kusht në duart e Atit, nga frika se mund të humbasin qetësinë njerëzore, për të marrë mbi supe kryqin e vet e për të ecur me të, drejt së premtes së madhe të jetës së tyre. Këtë na kujton liturgjia e festës së Shën Matildës, mbretëreshë dhe e Shën Plaçido Rikardit, murg, që do të kremtohen të premten.

Shën Jozefi, fati i Virgjërës Mari, Pajtor i Kishës universale, që do të kremtohet të shtunën, është njeriu që u besoi plotësisht premtimeve së Zotit, në kundërshtim me çdo shpresë njerëzore. Prandaj quhet njeri i drejtë e bëhet kështu model për të gjithë ata që duan të jenë vërtetë njerëz të drejtë!

E diela e pestë e Krezhmëve i paraprin të Dielës së Larit.







All the contents on this site are copyrighted ©.