2008-03-08 17:34:32

Papa plenares së kulturës: “Duhet fuqizuar dialogu ndërmjet shkencës e fesë”.


(08.03.2008 RV)“Shekullarizimi, me kushtëzimet e veta, që çojnë deri në mohimin e Zotit, ka depërtuar prej kohe edhe në gjirin e Kishës”. Me këtë pohim e hapi sot Benedikti XVI fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të plenares së Këshillit Papnor për Kulturën, mbledhur këto ditë për të diskutuar rreth temës “Kisha dhe sfida e shekullarizimit”.
Për ta përballuar këtë sifdë – shpjegoi Papa - duhen theksuar vlerat e larta të jetës dhe dialogu ndërmjet shkencës e fesë.
Për shekullarizmin Zoti nuk ka kurrfarë rëndësie, njëlloj si të mos ekzistonte – nënvizoi me keqardhje Benedikti XVI - sepse është zevendësuar me kultin e shterpët të individit. Është një kërcënim serioz – theksoi i alarmuar Ati i Shenjtë - e jo vetëm për besimtarët që jetojnë në botë, por edhe për ata që kryejnë misionin në gjirin e vetë Kishës:
“E çorodit nga brenda, në thellësi, fenë e krishterë e, si pasojë, stilin e jetës dhe mënyrën e sjelljes së përditshme të besimtarëve. Ata jetojnë në botë e shpesh preken, në mos po, kushtëzohen, nga kultura e komunikimit, që imponon modele e impulse të cilat i kundërvihen fesë dhe çojnë në mohimin praktik të Zotit, duke pohuar se nuk kemi më nevojë për Zotin, s’kemi pse të mendojmë për Të e të kthehemi tek Ai. Përveç kësaj, mendësia sunduese hedonistike e konsumistike i shtyn si besimtarët, ashtu edhe barinjtë drejt cektësisë dhe egocentrizmit, që e dëmton seriozisht jetën e Kishës”.
Prej këndej Benedikti XVI theksoi me forcë se është e domosdoshme të fuqizohet dialogu ndërmjet fesë e shkencës dhe takimi me kulturat.







All the contents on this site are copyrighted ©.