Atë Federiko Lombardi reflekton për "Paqen në Amerikën Latine".
(09.03.2008 RV)I shqetësuar për
krizën e rëndë në Amerikën Latine, Atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm
i Radio Vatikanit dhe i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, reflekton për paqen
në Amerikën Latine, duke cituar ftesën e vazhdueshme të papëve përballë situatave
të konfliktit: “Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën”:
"Tensionet
e mëdha të ditëve të fundit ndërmjet Kolumbisë, Ekuadorit dhe Venezuelës, tërhoqën
menjëherë vëmendjen tonë mbi rreziqet për paqen në Kontinentin amerikan. Rreziqe serioze
e konkrete, sepse kalohet nga fjalët tek faktet, me përdorim armësh e me lëvizje trupash.
Për më tepër, kriza mund të shtrihet më tej e të bëhet rajonale, siç e dëshmon ndërprerja
e lidhjeve diplomatike ndërmjet Nikaraguas e Kolumbisë. “Asgjë nuk humbet
me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën” kanë përsëritur pa u lodhur kurrë papët,
përballë situatave të konfliktit. Konfliktet ushqejnë urrejtjen e irracionalitetin
e nacionalizmave, hapin hendeqe e krijojnë përçarje të thella, shkaktojnë vdekje e
vuajtje të pakuptim për shumë njerëz të pafajshëm, turbullojnë edhe situatat e brendshme
të popujve, në dëm të jetës së rregullt e të ushtrimit normal të të drejtave. Ndonëse
jemi të vetëdijshëm për ndërlikimin e situatës e të interesave që lidhen me të, duhen
kërkuar pa tjetër rrugët për bisedime e ndërmjetësim diplomatik, para se dëmet të
bëhen tepër të rënda. Me të drejtë episkopatet e vendeve në konflikt ngrenë
zërin në favor të paqes, e edhe kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të zonës, bëjnë
thirrje të njëzëshme për impenjimin e të gjithëve, duke filluar nga qeveritarët, për
t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me rrugë të arsyeshme e paqësore. Duhet uruar që në
një Kontinent, në të cilin tradita e krishterë është e lashtë dhe e thellë e në të
cilin popujt e shikojnë, me të drejtë, njëri–tjerin si vëllezër, për shkak të lidhjeve
të shumta, këto zëra të dëgjohen. Atyre natyrisht u shtohet solidariteti shpirtëror
e lutja e mbarë Kishës, për të cilën paqja ndërmjet popujve është një nga aspiratat
më të larta e më të ndjera".