2008-03-08 17:59:21

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(09.03.2008 RV)RealAudioMP3 9 mars: Ludoviku i Përshpirtshëm, perandor i shenjtë.
Gjyshi i Ludovikut, Pipinua, njihej me nofkën ‘i Vogël’, për shkak se ishte vocrrak, ndërsa i jati, Karli, me nofkën e kundërt, ‘i Madh’. Po Ludoviku, si do të mbiquhej? Nuk ishte aq i shkurtër, sa t’ia ngjitnin nofkën e të gjyshit, por as aq i madh, sa i jati. Vështirë të matej kush me Karlin e Madh, që ishte i gjatë një metër nëntëdhjetë e tre….. e, mbi të gjitha, ishte shtatlartë si perandor. Ludovikun e quajtën ‘i Përshpirtshmi’, sepse tipari i tij kryesor ishte feja. Në këtë këndvështrim ia kalonte shumë të jatit! Edhe Karli i Madh ishte i krishterë, sigurisht, e gjatë mbretërimit të tij e forcoi shumë Kishën. Madje besonte se ishte zgjedhur nga vetë Zoti për të sunduar e për t’u prirë të krishterëve të perandorisë. Por sigurisht ai nuk jetonte si murg. Ludoviku, që është rritur ndërmjet meshtarëve, ka një shpirt thellësisht fetar. Kur bëhet perandor, në vitin 814, vijon të lutet shumë, si e kishte pasur zakon para se të ulej në fron. Feja e tij është aq e flaktë, sa kur, në vitin 818, i vdes e shoqja, Ermengarda, oborrtarët tremben. Kanë frikë se do ta braktisë fronin e do të shkojë të mbyllet në kuvend. Për ta lidhur me fronin, e detyrojnë të marrë një grua të dytë, të re e të bukur, me emrin Judita. Ludoviku është tepër i mirë e njerëzit shpesh herë e ngatërrojnë mirësinë me ligështinë. Kjo e pengon të bëhet perandor i madh, si i jati, Karli: nuk ka pikë autoriteti. E të bijtë memëzi ç’presin ta shfrytëzojnë ligështinë – a më mirë të themi - mirësinë e tij, për të ngritur krye. Duke e njohur natyrën e Ludovikut, s’është aspak për t’u çuditur që zgjedh si mik e këshilltar, një rregulltar, i cili më pas do të shpallej shenjt: Benediktin e Anianës. Benedikti është murg benediktin, dmth jeton sipas rregullës së shkruar nga Shën Benedikti. Kur arrin në oborrin e Ludovikut, në Eks-la Shapelë në vitin 814, i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Njihet për themelimin e manastirit të Anianit, në jug të Francës e për përhapjen e rregullës benediktine nëpër manastiret e tjera franceze. Ludoviku e Benedikti vijojnë veprimtarinë fetare të nisur nga Karli i Madh. Organizojnë takime masive për të përmirësuar misionin e Kishës e për t’ia ndrequr të metat. Përveç të tjerave, i japin më shumë pavarësi papës, të cilin Karli i madh e mbante nën kontroll.Ludoviku e Benedikti punojnë së bashku për shtatë vjet. Sapo fillon viti i tetë i punës së përbashkët, viti 821, Benedikti vdes. Me të, edhe vitet më të mira të mbretërimit të Ludovikut. Por Kisha përfiton shumë nga miqësia e këtyre dy besimtarëve të mëdhenj.







All the contents on this site are copyrighted ©.