2008-03-08 14:08:07

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(08.03.2008 RV)8 mars: Gulielmi, heroi i trubadurëve
Aroldi dëgjon pa humbur asnjë tingull. Në sheshin e Kishës, një turmë e madhe është grumbulluar rreth menestrelit e të gjithë e dëgjojnë të mahnitur. Po këndon një këngë kreshnikësh, që në Francë quhet ‘chanson de gestes’, dmth poemë që këndon bëmat e një kreshniku. Këngët franceze të kreshnikëve u krijuan ndërmjet shekujve XII - XIV. Më të lashtat janë më të bukurat. U shkruan në epokën e Aroldit.
Heroi për të cilin po flasim sot, është një njeri me emrin Gulielm, kushëri i Karlit të Madh, që ka jetuar rreth katërqind vjet më parë. Këngëtari këndon trimërinë e tij në betejë, besnikërinë ndaj mbretit, dashurinë e për bukuroshen Gyiburk…
Dalëngadalë kënga arrin kulmin, që e lë Aroldin me gojë hapur. Ai e njeh mirë historinë e Gulielmit të Akuitanisë, sepse ungji i tij është murg e jeton në abacinë Sent-Gyilem-le-Désert, manastir i themeluar nga Gulielmi në jug të Francës, në vitet e fundit të jetës. Aroldi çuditet pa masë kur dëgjon sesi këngëtari e shtrembëron fare figurën e Gulielmit. Vendos, prandaj, të shkojë te menestreli, që është duke pirë një gotë verë, për të njomur grykën e tharë, pasi ka kënduar për një kohë të gjatë.
“Zotëri, ju falënderoj për këtë hsitori të bukur… Por xhaxhai im, që është murg, ma ka treguar fare ndryshe historinë e Gulielmit. Ju po na këndoni se edhe kur ishte tashmë i shtyrë në moshë, vijoi të luftonte kundër armiqve të Zotit. Ndërsa në të vërtetë, rreth vitit 806, pasi i shërbeu për një kohë të gjatë Karlit të Madh me trimëri e besnikëri, la shpatën e rroku kryqin, duke u bërë murg. Themeloi abacinë që sot mban emrin e tij, Shën Gulielm, e që nga ky ças bëri çmos të harrohej fare fama e tij prej luftëtari. Nuk e dinit këtë?
“Në të vërtetë, jo…”.
“Si të gjithë murgjërit, merrte pjesë në Meshë, gatuante bukën për sivëllezërit që punonin ndër ara, u çonte ujë për të pirë, bënte punë dore nga më të rëndomtat... Ja këtë duhet të këndoni. Kjo është historia e vërtetë e Gulielmit!”.“Dëgjo, Arold, këngët kreshnikëve nuk këndohen për të treguar të vërtetën, nuk janë histori. Ato këndohen për t’i bërë njerëzit të ëndërrojnë” – përgjigjet duke qeshur menestreli. – “Në se Gulielmi ka bërë çmos të harrohet fama e tij prej heroi, unë nuk e di si t’ia bëj. Ose më mirë të them, e di. Do të vijoj të tregoj historinë e tij para se të hynte në kuvend. Ti, po të duash, këndo një këngë tjetër, që tregon si u bë murg!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.