2008-03-07 18:20:26

Gjendje alarmi në Jeruzalem pas sulmit në kolegjin e rabinëve


(07.03.2008 RV)Tension i lartë në Jeruzalem pas vrasjes së tetë studentëve të shkollës së rabinëve nga një atentator palestinez. Sot paradite u zhvillua funerali i të rinjve, pesë prej të cilëve nuk kishin mbushur akoma 18 vjeç e njëri ishte madje 15. Policia është në gjendje alarmi e krejt Qyteti i Shenjtë mbahet nën kontroll të rreptë. Kalimet me Çisjordaninë janë mbyllur për motive sigurie. Në Jeruzalemin lindor janë arrestuar mëse dhjetë persona. Për rëndimin e situatës në Lindjen e Mesme do të diskutojnë të hënën ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, që kanë dënuar ashpër këtë “sulm të pamëshirshëm terrorist”. Ndërkaq, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që u mblodh urgjentisht mbrëmë, nuk arriti të gjejë një konsensus për të dënuar atentatin në Jeruzalem. Sipas SHBA-ve dhe Izraelit, shkaktare për këtë bllokim ishte Libia.


U rrit në së paku 68 viktima e mëse 150 të plagosur bilanci i atentatit të djeshëm të dyfishtë në lagjen Karada të Bagdadit. Më në veri, në Mosul, pas shpërthimit të një autobombe në afërsi të kazermës së policisë, dy bomba shpërthyen sot paradite në qendër të qytetit. Së paku 4 vetë kanë humbur jetën.


Kenia do të ketë një qeveri të re brenda dy ose tre javësh. Kështu ka deklaruar kreu i opozitës, Raila Odinga për BBC-në, pas pohimeve të djeshme optimiste të presidentit Kibaki. Parashikohet që posti i kryeministrit t’i jepet Odingës, por akoma duhen përcaktuar struktura dhe programi i qeverisjes. Përparësitë e qeverisë së re do të jenë të zhvendosurit, kujdesi për të plagosurit dhe rindërtimi i vendit. Që nga fundi i dhjetorit, kur filluan ndeshjet, konflikti ndërmjet pozitës dhe opozitës ka shkaktuar 1500 të vrarë e rreth 300 mijë të shpërngulur.


Sesioni i parë i Asamblesë Kombëtare pakistaneze do të mbahet brenda dy javësh. Deklarata është e vetë presidentit Musharraf, i cili të paktën në dukje, ka pranuar fitoren e opozitës në zgjedhjet legjislative të 28 shkurtit. Dy partitë e opozitës duhet të krijojnë tani koalicionin për qeverisjen e vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.