2008-03-06 19:01:42

Benedikti XVI dhe Bartolomeu I u lutën së bashku në Vatikan.


(06.03.2008 RV)RealAudioMP3 Takim me domethënie të madhe ekumenike. Sot paradite Benedikti XVI priti në audiencë Bartolomeun I dhe grupin shoqërues, që kanë ardhur për vizitë në Romë me ftesën e Institutit Papnor Lindor, me rastin e 90-vjetorit të themelimit. Pas takimit privat, Papa dhe Patriku ekumenik i Kostandinopojës, u gjunjëzuan për t’u lutur disa çaste në kapelën e Urbanit VIII të Pallatit Apostolik .

T’i kapërcejnë së bashku pengesat në rrugën për rivendosjen e bashkimit të plotë: kjo frymë i përshkon takimet vëllazërore të Benediktit XVI me Bartolomeun I. Pas vizitës historike në Stamboll për festën e Shën Andreut, më 30 nëntor 2006 dhe takimit në Napoli, në tetorin e kaluar, Papa e Patriku biseduan përsëri së bashku në Vatikan. Vizita pati dy çaste për t’u theksuar: takimin privat dhe çastin e lutjes. E ky çast të shtyn të mendosh për Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Gjergjit në Stamboll, në përfundim të së cilës Benedikti XVI e Bartolomeu I nënshkruan një deklaratë të përbashkët. Një dokument historik, që të kujton menjëherë përqafimin e paqes, shkëmbyer ndërmjet Palit VI e Atenagorës, për të shprehur gëzimin e vëllazërimit e për të përsëritur impenjimin e ecjes në rrugën e bashkimit të plotë. Me këtë rast Papa ripohoi se Kisha katolike është gati të bëjë ç’është e mundur për t’i kapërcyer pengesat e për të kërkuar, së bashku me vëllezërit ortodoksë, mjete gjithnjë më të frytshme bashkëpunimi baritor, në shërbim të rivendosjes së bashkimit të plotë ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostandinopojës.

 
Sot pasdite Bartolomeu I shkoi në bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe. Më pas, në sallën kryesore të Institutit Papnor Lindor, udhëhoqi një Akt Akademik me temë “Teologjia, Liturgjia e Heshtja. Perspektiva themelore të Etërve Lindor për sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.