2008-03-06 18:02:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(06.03.2008 RV)RealAudioMP3 6 mars: Alkuini dhe shkolla e Karlit të Madh.
Alkuini sapo është takuar me Karlin e Madh e tani ka rënë në mendime të thella. Mbreti i ka kërkuar ta ndihmojë për realizimin e një plani gati-gati të parealizueshëm. Një punë, së cilës duhet t’i kushtojë gjithë jetën.
Pikërisht ai, që mendonte se do të rrinte fare pak në Itali. Teorikisht, duhet të takohej me Papën e më pas të kthehej në shtëpi, në Angli, për të dhënë mësim e për të punuar qetësisht ndër biblotekat e shkëlqyera të vendit të tij. Alkuini është njeri i Kishës, i shkolluar në shkollat më të mira të kohës, tepër i ditur, profesor i njohur e i nderuar aq, sa fama e tij i ka kapërcyer prej kohe kufijtë e Anglisë. E ja edhe prova: Karli i Madh ka dëgjuar të flitet për kalimin e tij në Parmë, në vitin 781, dhe ka kërkuar ta takojë.
E i ka bërë edhe një propozim. Karli i Madh dëshiron ta zhdukë paditurinë në mbretërinë e vet, duke përdorur mjetet më të përshtashme të epokës: natyrisht, nuk ka ardhur akoma koha e detyrimit shkollor për të gjithë. Në atë kohë vetëm disa priftërinj, rregulltarë e ipeshkvij dinin të shkruanin e të lexonin. Karli i Madh dëshiron t’ua hapë dyert e shkollave sa më shumë njerëzve. “E, për ta bërë këtë, kemi nevojë për shkolla të mira e sidomos, për mësues të ditur” - i ka thënë Alkuinit.
E Alkuinin e tërhoqi menjëherë një propozim i tillë. Iu përgjigj Karlit të Madh se një mbret i krishterë e kishte për detyrë t’u krijonte nënshtetasve mundësinë të ndiqnin shkollën. Alkuini është gati t’i kushtohet me të gjitha forcat projektit të perandorit. T’i ndihmosh njerëzit të bëhen të mënçur e të mësuar, është një nga mënyrat më të bukura për t’i shëbyer Hyjit. Por, nga duhet t’ia fillojë? Mendon t’ia nisë duke themeluar një shkollë në pallatin e Karlit të Madh, që është larguar nga Italia, për t’u vendour në Eks-la Shapelë, qytet që sot ndodhet në Gjermani, fare pranë kufirit me Francën. Nxënësit e shkollës palatine, emër që e mori nga pallati ku zhvilloheshin mësimet, janë…. vetë Karli i Madh, pastaj oborrtarët e tij e disa të rinj fisnikë, që përgatiten për të kryer detyra shumë të rëndësishme në mbretërinë e pafundme. Nxënësit mësojnë të lexojnë, të shkruajnë, të këndojnë, të numërojnë, të flasin për argumente nga më të ndryshmet.Por Alkuini nuk kënaqet vetëm me këtë shkollë, që ndiqet nga njerëz të pushtetshëm. U kërkon, prandaj, ipeshkvijve të ngrejnë shkolla pranë çdo katedraleje; e abatëve, që udhëheqin bashkësitë e murgjërve, të krijojnë mësonjëtore në çdo manastir. Falë kësaj nisme të mirëmenduar, shkollat nisin të hapen në të gjithë Francën e me ta, të krijohet një brez i ri që di të përballojë me sukses situata nga më të ndryshmet. Natyrisht, ky është vetëm fillimi, por një fillim vërtetë i mbarë. Alkuini mund t’i mbyllë sytë i kënaqur. Në vitin 804, kur ai shkon të pushojë në shtëpinë e Atit qiellor, Franca tashmë i ka shpallur luftë injorancës!







All the contents on this site are copyrighted ©.