2008-03-05 16:33:10

Parlamenti serb i ndarë mbi rezolutën kundër integrimit evropian


(05.03.2008 RV)Parlamenti serb i ndarë më dysh për rezolutën kundër integrimit evropian. Deputetët e partisë së Vojisllav Koshtunicës dhe ata të ultranacionalistit, Tomisllav Nikoliç, që sëbashku kanë 144 ndër 250 vendet e parlamentit, kërkuan që Brukseli të thotë “qartë dhe pa dyshime” se Kosova është pjesë e Serbisë, para se Beogradi të rifillojë bisedimet për integrimin evropian. Nga ana e tyre, deputetët e partisë së presidentit Boris Tadiç u munduan të sqarojnë se miratimi i një rezolute të tillë nuk do të mbrojë sovranitetin serb mbi Kosovën, por do ta izolojë më tej vendin. Po sot, komisari evropian për zgjerimin, Olli Rehn i bëri thirrje Serbisë që të ripohojë dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. “Ne jemi gati - tha ai – çdo gjë varet nga Beogradi”.
Kryetari i parlamentit serb, Oliver Duliç, i Partisë së Tadiçit, e ndërpreu seancën, duke kërkuar mendimin e qeverisë për rezolutën. Ai premtoi se seanca do të vazhdojë të premten, por përkrahësit e Koshtunicës kërkuan që të shkarkohet nga detyra.







All the contents on this site are copyrighted ©.