2008-03-05 17:09:26

Kardinali Bertone në Armeni i çoi Patrikut Karekin II, përqafimin vëllazëror të Papës dhe urimin për paqe.


(05.02.2008 RV)Një përqafim vëllazëror dhe urimin për paqe: kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, që arriti dje në Republikën armene me ftesën e autoriteteve fetare e civile, i dorëzoi Patrikut e Katolikosit të të gjithë armenëve, Karekini II, letrën autografe të Benediktit XVI. Hirësia e Tij i shprehu Katolikosit admirimin e Benediktit XVI për thesarin kulturor e shpirtëror që i kanë dhuruar armenët njerëzimit dhe uroi që populli i Armenisë t’i kapërcejë sa më shpejt vështirësitë shoqërore në të cilat jeton e të sigurojë një të ardhme me drejtësi, besim e transparencë për të gjithë kombin. Papa është i vetëdijshëm – nënvizoi sekretari i Shtetit të Vatikanit – për rolin parësor e të pazëvendësueshëm që do të luajë Kisha në këtë proces.
Kardinali Bertone kujtoi se në të kaluarën pushteti ateist bëri çmos ta dobësojë Kishën armene, shumë bij të së cilës, ipeshkvij, meshtarë e laikë, derdhën gjakun për Krishtin. Kujtim tepër i freskët, sepse ky gjak u derdh vetëm pak vite më parë. Më pas lavdëroi impenjimin e palodhshëm të Patrikut Karekin II për rindërtimin e Kishës së ligështuar nga regjimi sovjetik.
Dje sekretari i Shtetit të Vatikanit u takua edhe me kryeministrin Serge Sarkisian.
Ndërsa sot paradite, pas bisedimeve me ministrin e jashtëm, kardinali Bertone pati tre takime: vizitoi Panikun, ku pushon në paqe atë Komitas, meshtari i parë i ardhur në Armeni pas komunizmit; më pas, Giumrin, ku shkoi në Ordinariatin katolik dhe në jetimoren e motrave armene të Zojës së Papërlyer dhe, së fundi, spitalin armen të Ashotzkut, pranë Gjeorgjisë, ndërtuar me dëshirën e Gjon Palit II pas tërmetit që e tronditi tmerrësisht këtë vend 20 vjet më parë, duke shkaktuar 30 mijë të vdekur. Kardinali falënderoi Kamilianët dhe Motrat e Vogla të Krishtit, që punuan këtu edhe në vitet e komunizmit, në izolim të plotë e në kushte tepër të vështira klimaterike. Pastaj iu drejtua mjekëve, duke i ftuar ta mbrojnë jetën me çdo mjet e në çdo fazë të zhvillimit të saj e duke u kujtuar se ‘të mjekosh nuk është zanat, por mision, të cilin të gjithë duhet ta ushtrojnë me besnikëri të plotë’.Së fundi, foli fjalë ngushëllimi edhe për të sëmurët. “Kisha – u tha kardinali Bertone – dëshiron t’i lehtësojë vuajtjet e të sëmurëve, duke ia kushtuar Zotit duart, mendjen e zemrën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.