2008-03-04 18:19:11

Takim pune në Vatikan i një delegacioni mysliman me Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar.


(04.03.2008 RV)Filloi sot e do të vijojë edhe nesër në Vatikan, një takim parapërgatitor, me karakter teknik-operativ i një delegacioni mysliman dhe Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, për të përcaktuar disa aspekte procedurale që kanë të bëjnë me fillimin e reflektimit të përbashkët si dhe me përgatitjen e takimit të personaliteteve islamike me Atin e Shenjtë. Takimi organizohet menjëherë pas letërkëmbimit ndërmjet përfaqësuesve të Islamit dhe Selisë së Shenjtë si dhe vizitës që bëri kohët e fundit kardinali Zhan Lyi Toran në Universitetin e mirënjohur islamik të Al-Azhar të Kairos.
Mundësitë për realizimin e kësaj ngjarjeje të madhe, që kardinali Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar e quan historike, i krijoi shkëmbimi i Letrave, në nëntorin e dhjetorin e kaluar, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe princit të Jordanisë, Ghazi bin Muhammad bin Talal, në krye të grupit të 138 dijetarëve myslimanë nga 43 kombe të ndryshme. Më 13 tetor 2007, një grup i përbërë prej 138 personalitetesh të shquara myslimane i shkroi Atit të Shenjtë dhe prijësve të Kishave e konfesioneve të tjera të krishtera Letrën e hapur, që titullohej “Një fjalë e përbashkët ndërmjet Nesh e Jush”, duke kërkuar të fillojnë ballafaqimin. Pikat e zgjedhura si bazë për dialogun ndërfetar ishin besimi në një Zot të vetëm dhe urdhërimi i dyfishtë për të dashur Hyjin e të afërmin. E pikërisht rreth këtyre pikave po dialogohet në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.