2008-03-04 18:15:27

Papa na fton të lutemi që të krishterët e persekutuar në botë ta dëshmojnë me guxim Ungjillin.


(04.03.2008 RV)RealAudioMP3 “Të lutemi që të krishterët, të cilët në të katër anët e botës e në mënyra të ndryshme persekutohen për kauzën e Ungjillit, të vijojnë ta dëshmojë me guxim e çiltërsi Fjalën e Hyjit”. Ky është ndjeti misionar për muajin mars, që i propozohet besimtarëve nga Apostullimi i uratës. Benedikti XVI disa herë ka denoncuar mungesën e lirisë, që peshon rëndë mbi Kishën dhe besimtarët e saj në shumë vende të botës. E kjo mungesë lirie shpesh herë shoqërohet edhe me persekutime të mirëfillta, që shkaktojnë viktima e shkatërrime kishash e strukturash kishtare.
Ka një çast të caktuar gjatë vitit, në të cilin Kisha prek me dorë, e me emocion të thellë, një aspekt që përcakton vetë themelet e saj: martirizimin. Kur, çdo fund dhjetori, Agjensia Fides boton emrat e meshtarëve, të murgeshave e të laikëve të vrarë nëpër botë, çdo përfaqësues i hierarkisë – pavarësisht nga meritat që më pas u njihen të vrarëve – duhet të ndalohet një çast e të mendojë se ungjillëzimi kërkon flijime të mëdha, që arrijnë deri në dhurimin e gjakut për Krishtin. Kisha paguan çdo vit një haraç gjaku për ta kumtuar e rikumtuar Lajmin e mirë: gjak i atyre, të cilët do të mbeten në kujtesën kolektive me ngjitjen në nderimet e elterit, si shembull guximi që mund e duhet të ndiqet e si model i përkushtimit të plotë të jetës në shërbim të Krishtit. Sa bij e bija të Kishës ecën në gjurmët e martirit të parë, Shtjefnit, duke filluar nga çasti kur gurët u flakën me egërsi mbi trupin tij të zvaritur jashtë portave të Jeruzalemit?
Me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, Shën Shtjefni i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është thjesht akt dashurie për Hyjin e për njeriun: këtë nënvizoi Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 26 dhjetorit të kaluar, përqëndruar tek figura e martirit të parë. Më pas Papa vuri theksin mbi dëshminë që japin akoma sot shumë të krishterë, të cilët vuajnë e vdesin për të kumtuar Ungjillin si dhe për të jetuar në bashkim me Kishën e për t’i qëndruar besnikë Papës.
Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh – vijoi të kujtonte Papa – e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jeruzalem e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona:
“Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës”.
Shtjefni u mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij - shpjegoi Benedikti XVI, duke nënvizuar në vijim se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – vijoi të reflektonte Papa –që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët të japin jetën për Ungjillin.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2007, Benedikti XVI saktëson:
“Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit.  Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit . E martirët dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja » .
Martiri i krishterë aktualizon fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Të lutemi, pra, për ata që vuajnë nga shkaku i besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Zoja e Bekuar, Mbretëreshë e Martirëve, na ndihmoftë të jemi dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën çarmatosëse të së vërtetës e të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.