2008-03-04 19:04:03

Nesër parlamenti serb voton për ndërprerjen e marrëdhënieve me BE-në.


(04.03.2008 RV)Për Gjykatën e Hagës mbetet i rëndësishëm arrestimi i gjeneralëve Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq. Në një intervistë për gazetën frankofone belge “Le Soir”, kryeprokurori aktual i Gjykatës, Serzh Bramerc deklaron se kjo është një nga përparësitë e tij. “Është për mua e vështirë të imagjinoj se ky Gjyq mund të mbyllet pa gjykuar këta kriminelë lufte”. Mladiq dhe Karaxhiq janë përgjegjës për masakrën e myslimanëve në Srebrenicë, në vitin 1995. Bramerc u kujtoi përgjegjësve politikë se arrestimi i të dyve, është detyrë e rëndësishme për stabilitetin në Ballkan.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica kërkoi sot mbështetjen e popullsisë për qëndrimin e tij ndaj Bashkimit Evropian. Në një deklaratë, ai u bën thirrje të gjitha forcave politike të bashkohen për të mbrojtur sovranitetin serb mbi Kosovën. Sipas tij, Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian vetëm si një shtet i përbashkët me Kosovën. Koshtunica pretendon që shtetet evropiane të tërheqin deklaratat e tyre për njohjen e pavarësisë së Prishtinës.
Në një qëndrim të ndryshëm me të, presidenti Boris Tadiç kërkon që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të vazhdojë pavarësisht nga Kosova. Nesër parlamenti serb voton për ndërprerjen e marrëdhënieve me BE-në.

Ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë të enjten mbi kandidaturat e reja për integrimin në Paktin e Atllantikut. Tre vendet që synojnë të marrin ftesë për të hyrë në Aleancë, në takimin e Bukureshtit në fillim të prillit, janë Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia. Ndërkaq, Greqia kërcënon me veto anëtarësimin e Maqedonisë, për shkak të mungesës së kompromisit me Athinën mbi çështjen e emrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.