365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(04.02.2008 RV)4 mars: Shën
Bonifaci, Apostulli i Gjermanisë I shtrirë në çadrën e tij, Bonifaci po pushon.
Është fare e natyrshme për një burrë 80 vjeç, që ka bërë një udhëtim tepër të gjatë.
Së bashku me disa shokë, endet nëpër zona të panjohura të Gjermanisë, për t’ua kumtuar
Krishtin banorëve të vendit. Nuk mund të themi se është kënaqësi e madhe për një ipeshkëv
80 vjeçar, të ecë gjithë ditën e natën, pastaj, të flerë nën një çadër, në mes të
pyllit të egër, të panjohur, përplot me të papritura. E megjithatë, Bonifaci është
tejèt i kënaqur. Miqtë e lusin ta ndërpresë këtë shtegtim kaq të lodhshëm, po ai s’ua
vë veshin fare: dëshiron ta vijojë misionin deri në fund të ditëve të veta. Deri në
fund të fundit. Bonifaci lindi në Angli rreth vitit 675. Prindërit ia ngjitën
emrin Vinfrid: vetëm shumë vjet më vonë, vetë Papa do t’ia ndërronte këtë emër, duke
e quajtur Bonifac. Ishte ende shumë i vogël, kur nisi t’u lutej prindërve ta çonin
në kuvend, sepse ëndrra e tij më e dashur ishte t’i shërbente Hyjit. Sapo i kishte
mbushur shtatë vjet, kur u bë murg! Disa vjet më vonë, kur u shugurua meshtar,
Bonifaci vendosi ç’ do të bënte në të ardhmen: do të shtegtonte për të përhapur fenë
e krishterë. U nis, prandaj, për në Gjermani, ku kaloi gjithë jetën e ku kishte shumë
për të bërë. Disa zona tashmë ishin kthyer në fenë e krishterë, sepse para Bonifacit,
aty kishte kaluar miku i tij, Vilibrordi. Por njerëzit nuk e kishin kuptuar ende thellësisht
besimin e ri, prandaj shpesh e ngatërronin Jezusin me hyjnitë e lashta. Sa e sa herë
iu desh t’u shpjegonte e t’u rishpjegonte të sapopagëzuarve, se nuk duhet të adhuronin
hyjni të tjera, veç Hyjit të të krishterëve! Ndërkaq, në zonat e thella, banorët nuk
kishin dëgjuar kurrë të flitej për krishterimin; e Bonifacit i duhej të nisej nga
zeroja për t’u shpjeguar kush ishte Jezusi. Ç’mision! Por edhe ç’kënaqësi të shikoje
se si Gjermania, pak nga pak, bëhej e krishterë. Po, nuk ka asnjë dyshim! Këto udhëtime
për Bonifacin ishin burim gëzimi, gjithnjë, gjithkund, edhe atëherë kur shtegtonte
në vise të egra e të panjohura, në sa këmbët nuk e kishin më vrullin e moshës së re.
E sot, në sa pushon nën çadër, falënderon Hyjin që ia mbushi jetën me entuziazëm.
Por, papritmas, dëgjon përjashta një zhurmë skëterre. Atmosfera e qetë e pyllit mbushet
plot me të shtëna, me britma. Hov në këmbë, duke shtrënguar Biblën mes krahëve të
kryqëzuar në kraharor, e del nga çadra për të parë ç’ngjet përjashta. Një grup luftëtarësh
të egër sulmon kampin. Ç’ tmerr! Po masakrojnë shokët e Bonifacit. Ipeshkvi dëshiron
t’i mbrojë duke e përdorur Biblën si të ishte mburojë. E kështu mbetet edhe ai vetë
i vrarë, në shërbim të Hyjit deri në fund të fundit. Në sa ka arritur ta falënderojë
për të fundit herë pikërisht në kohën e duhur!