Zemra e Benediktit XVI është pranë atyre që vuajnë: në Engjëllin e Tënzot Papa bëri
thirrje kundër të gjitha shfaqjeve të dhunës.
(03.03.2008 RV)Dje, gjatë lutjes
së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në të dielën e katërt të Krezhmëve,
Benedikti XVI bëri tri thirrje prekëse: për lirimin e kryeipeshkvit irakian të Mosulit;
për fundin e dhunës në Tokën Shenjte e, duke kujtuar ngjarjen dramatike të vdekjes
së dy fëmijëve italianë, për mbrojtjen e fëmijëve. Duke komentuar Ungjillin e së dielës,
që fliste për të verbërin, të cilin Jezusi e shëroi, Benedikti XVI i ftoi besimtarët
të mos e lejojnë veten të verbohen nga egoizmi. Ishte, pra, një lutje mariane,
e cila u përshkua nga dhembja për njerëzit që vuajnë, që qajnë për humbjen e të dashurve
e për ata që jetojnë në kushte tepër të vështira për shkak të luftërave. Së pari,
Papa bashkoi zërin me atë të kardinalit Emanueli III Deli, për lirimin sa më të shpejtë
të imzot Rahos, kryeipeshkvit të Mosulit të kaldejve. Por Ati i Shenjtë kujtoi edhe
tre të rinjtë, që u vranë gjatë rrëmbimit të prelatit: “Lartoj, njëkohësisht,
lutjen time për shpirtin e tre të rinjve të vrarë, që ishin me të në çastin e rrëmbimit.
I shpreh afërsinë time mbarë Kishës në Irak e posaçërisht, Kishës kaldeje, që u trondit
përsëri kaq rëndë. Ndërsa uroj që Zoti t’u japë forcë e shpresë Barinjve e besimtarëve.
Uroj edhe të shumfishohen përpjekjet e atyre që kanë në dorë fatet e popullit të dashur
irakian, në mënyrë që, falë impenjimit e urtisë të të gjithëve, të rigjejë paqen
e sigurinë e të mos i mohohet ardhmëria, për të cilën ka plotësisht të drejtë”. Për
fat të keq - tha në vijim Papa - këto ditët e fundit tensioni ndërmjet Izraelit
e Rripit të Gazës është thelluar shumë. Prandaj përsëriti ftesën drejtuar autoriteteve,
si atyre izraelite, ashtu edhe atyre palestineze, të përpiqen për t’i dhënë fund spirales
së dhunës, në mënyrë të njëanshme, pa asnjë kusht”. “Vetëm duke treguar respekt
absolut për jetën njerëzore, ndoshta edhe atë të armikut, mund të shpresohet se breznitë
e reja të këtyre popujve, që të dy me rrënjë në Tokën Shenjte, do të mund të bashkëjetojnë
në paqe. E ftoj mbarë Kishën t’i lartojë lutje të Gjithëpushtetshimit për paqen në
Tokën e Jezusit e të tregohet solidare me të dyja popullsitë: izraelite e palestineze”. Më
pas Papa foli edhe për mbrojtjen e fëmijëve, duke kujtuar vdekjen e dy fëmijëve italianë
– një fund – tha Ati i Shenjtë, që më preku thellë, ashtu si preku edhe shumë familje.
Fjalë këto, që u pasuan nga thirrja: “Shfrytëzoj rastin për të lartuar një britmë
në favor të fëmijëve: të kujdesemi për të vegjëlit! T’i duam e t’i ndihmojmë të rriten.
Ua them këtë prindërve, por edhe institucioneve. Duke bërë këtë thirrje, mendoj për
të gjithë fëmijët e botës, posaçërisht për ata që janë të pambrojtur e të keqpërdorur.
Ia besoj çdo fëmijë Zemrës së Krishtit, që ka thënë: “Lërini fëmijët të vijnë tek
unë!”. Para se të bënte thirrjet, Benedikti XVI u ndalua tek Ungjilli i së
dielës, që fliste për shërimin e njeriut, i cili kishte lindur i verbër, por që Krishti
e shëron e i tregon se ka ardhur në botë për t’i veçuar të verbërit e shërueshëm,
nga ata që nuk duan të shërohen, duke kujtuar se janë shëndosh. E këtu Papa i nxiti
të gjithë besimtarët t’i njohin verbëritë e dritshkurtësitë e tyre e, posaçërisht,
mëkatin e madh të mendjemadhësisë.