2008-03-03 19:22:15

Vatikan: përpjekje për dialog me Islamin: nesër, takimi në Romë.


(03.03.2008 RV)Vijojnë përpjekjet e Selisë së Shenjtë për dialog me Islamin e moderuar, pas tensioneve që shkaktoi fjalimi i Benediktit XVI në Regensburg në shtatorin e vitit 2006. Nesër kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Zhan Lyi Toran, do të presë, për një takim dyditor pune, një delegacion të vogël të 138 dijetarëve myslimanë, sunitë e shiitë. Më 13 tetor 2007, me rastin e përfundimit të Ramazanit, ky grup islamik i shkroi Atit të Shenjtë dhe prijësve të Kishave e konfesioneve të tjera të krishtera Letrën e hapur, që titullohej “Një fjalë e përbashkët ndërmjet Nesh e Jush”, duke propozuar të hapej një kapitull i ri mirëkuptimi e bashkëpunimi.
Me që është takimi i parë i kësaj natyre, nuk duhen pritur shumë të reja prej tij, mbasi bëhet fjalë kryesisht për të përcaktuar ecurinë e mëtejshme të dialogut dhe qëndrimet e ndryshme, rreth të cilave do të zhvillohet ballafaqimi i ardhshëm e, sidomos takimi i mundshëm i dinjitarëve myslimanë me vetë Papën Benedikti XVI, për të shkëmbyer mendime lidhur me një sërë nismash të përbashkëta ndërmjet dy feve, në mbrojtje të jetës, kundër proceseve të shekullarizimit dhe për edukimin e breznive të reja.
Takimi i nesërm është quajtur ‘teknik’ e ‘procedural’. Megjithatë ka shumë vlerë. Dijetarët myslimanë (të cilët kur u nënshkrua Letra ishin 138, e tani janë bërë 216) propozojnë të krijohet koordinimi fetar i botës islamike të Lindjes dhe të Perëndimit. Një koordinim i tillë për botën islamike, do të ishte siç është Vatikani për botën katolike. Sipërmarrja nuk është aspak e lehtë, duke pasur parasysh edhe konfliktet e brendshme të botës islamike. Në gjuhën arabe quhen ‘fitna’, e në shqip, ‘fitma’ që do të thotë ‘ngatërresa’. Pra në botën arabe ka ‘fitna, jo vetëm ndërmjet sunitëve e shiitëve, por edhe ndërmjet fondamentalistëve e të moderuarve, si dhe ndërmjet fiseve të ndryshme. Dijetarët myslimanë synojnë të paraqiten si përfaqësues të të gjithë botës islamike, dmth si bashkëbisedues të besueshëm për Selinë e Shenjtë dhe kishat e tjera të krishtera, protestante e ortodokse.
Delegacioni islamik përbëhet nga Abdel Hakim Murad Vinter, i Trustit Akademik Universitar Mysliman të Anglisë; Aref Ali Naied, ish-profesor i Institutit Papnor të studimeve arabe dhe islamistikës; Serxho Jahja Palaviçini, i Bashkësisë Islamike italiane (Coreis); Ibrahim Kalin, i Seta Foundejshën të Ankarasë dhe jordanezi Sohail Nakhuda, drejtor i Revistës Islamike. Delegacioni vatikanas do të kryesohet nga kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Do të marrin pjesë në bisedime edhe sekretari i dikasterit vatikanas, imzot Pierluigi Çelata si dhe drejtori i Institutit Papnor të studimeve arabe dhe islamistikës, (PISAI), Miguel Aiuzo.







All the contents on this site are copyrighted ©.