2008-03-03 19:07:18

Medvedev, president i ri i Rusisë. Opozita proteston zgjedhjet


(03.03.2008 RV)Në Rusi, presidenti i ri është delfini i Vladimir Putin, Dmitrij Medvedev, i cili fitoi mëse 70% të votave në zgjedhjet e djeshme presidenciale. Opozita kundërshton rezultatin e votimeve, duke denoncuar parregullsi dhe mashtrime. Edhe misioni parlamentar i Këshillit të Evropës ngre dyshime mbi cilësinë e korrektësinë e zgjedhjeve, por nënvizon edhe se rezultati nuk do të kishte ndryshuar nëse parregullsitë do të ishin më të pakta. Vihet në dukje mungesa e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, e cila e pati anulluar misionin e vet për shkak të kufizimeve të shumta të autoriteteve ruse. 42-vjeçarit Medvedev, i rritur politikisht nën hijen e Vladimir Putinit, do t’i duhet të përballojë dy sfida të rëndësishme për Rusinë. Së pari, të përmirësojë jetën e rusëve, duke marrë masa për përfundimin e krizës së frikshme demografike e së dyti, të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin ekonomik.

Përfundoi sot në agim operacioni i ushtrisë izraelite në veri të Rripit të Gazës, që filloi në natën ndërmjet së premtes e së shtunës së kaluar dhe u mori jetën 76 palestinezëve, ndër të cilët gra e fëmijë. U vranë edhe dy ushtarë izraelitë. Gjatë gjashtë ditëve të fundit, viktimat palestineze arrijnë numrin 111. Komisarja e Lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Luizë Arbur dënoi sot përdorimin pa cak të forcës nga ana e Izraelit dhe kërkoi hetime për vrasjen e civilëve. Arbur dënoi gjithashtu edhe hedhjen e raketave Kasam nga ana e palestinezëve, të cilat kanë rifilluar vetëm pak orë pas tërheqjes izraelite. Komisarja e OKB-së i kërkoi edhe bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion mbi palët, në mënyrë që ato të respektojnë detyrimet që vijnë nga e drejta humanitare ndërkombëtare dhe nga të drejtat e njeriut.
Vetëm dy ditë më parë, Autoriteti palestinez pezulloi të gjitha marrëdhëniet me Izraelin, por sot kryeministri i Tel Avivit, Olmert deklaroi se dialogu do të vazhdojë me “palestinezët pragmatikë”. Në këtë gjendje, filloi sot vizita e Përfaqësuesit të Lartë evropian për politikën e jashtme, Havier Solana, ndërsa të mërkurën do të zbarkojë në Jeruzalem sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs.


Seri atentatesh në Irak me dhjetra të vdekur e të plagosur. Dy autobomba vranë sot në Bagdad 15 vetë dhe plagosën mëse 35 të tjerë. Njëkohësisht, në Shirkat, autobombat shkaktuan vdekjen e dy personave, e gjatë natës në Samarra u vranë shtatë civilë. Po në Samarra janë gjetur trupat pa jetë të 18 personave me shenja të qarta torturash.
Ndërkaq, në Mosul, ku javës që kaloi u rrëmbye kryeipeshkvi i vendit, imzot Faraj Raho, kanë filluar tratativat për lirimin e tij. Sipas eksponentëve të kishës lokale, rrëmbyesit kanë kërkuar një shumë të madhe të hollash. Për imzot Rahon janë lutur besimtarët katolikë e myslimanë dhe autoritetet myslimane kanë dënuar gjestin e kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të kryeipeshkvit. Akoma nuk dihet arësyeja e rrëmbimit të tij sëbashku me tre të tjerë, të cilët u vranë nga rrëmbyesit.


Krerët greko-qipriotë dhe turko-qipritotë do të takohen në mesin e marsit për të diskutuar se si mund të fillojnë bisedimet për bashkimin e ishullit. Lajmin e dha i dërguari i OKB-së, Majkëll Moler, pas takimit me presidentin greko-qipriot, Kristofias. Ishulli i Qipros është ndarë në vitin 1974, që kur Turqia pushtoi pjesën veriore të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.