2008-03-01 20:01:57

“Ta jetosh vdekjen”: reflektim i Atë Federiko Lombardit


(02.03.2008 RV) RealAudioMP3 Dhimbjet e trupit që duhen lehtësuar, duke e respektuar njeriun, vetmi që duhen ngushëlluar, duke i qëndruar të afërmit pranë me dashuri! Për t’i ndihmuar të sëmurët në prag të vdekjes, duhet krijuar një kulturë e tërë solidaritetit. Për këtë kulturë u fol në punimet triditore të Asamblesë XIV plenare të Akademisë Papnore për Jetën. Takimin e shoqëroi një Kongres ndërkombëtar me temë “Pranë të sëmurit të pashërueshëm dhe njeriut që jep shpirt”. Çasti kulmor i ngjarjes ishte audienca e së hënës së kaluar në Vatikan. Gjatë takimit me kongresistët, Benedikti XVI ripohoi se një shoqëri e paaftë për t’i ndihmuar me dashuri njerëzit që vuajnë, është çnjerëzore e se njerëzit nuk duhen lënë vetëm, në sa kryejnë shtegtimin e tyre të fundit në këtë tokë.
Pikërisht këtij takimi, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, i kushton reflektimim: Ta jetosh vdekjen”:
Të ndihmosh që vdekja të jetohet me dinjitet, duke i shprehur njeriut që jep shpirt, solidaritet e dashuri. Kjo ka qenë gjithnjë detyrë, por jo detyrim. Nuk është e thënë që arritjet më të mëdha të shkencës mjekësore moderne të përdoren për të ndihmuar jetën që shuhet. Madje kjo ndokujt mund t’i duket pa pikë vlere, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz të varfër e të vetmuar, asistenca e të cilëve, në këndvështrimin utilitaristik, duket më tepër si barrë e rëndë.
Fjalët e Papës drejtuar Takimit të kohëve të fundit me temë: “Pranë të sëmurit të pashërueshëm e njeriut që jep shpirt”, ftojnë e kërkojnë pjesëmarrjen e sinqertë të Kishës e të shoqërisë në këtë problematikë të lashtë, e gjithnjë aktuale. Hapi i fundit i jetës, ai i vdekjes, së cilës të gjithë i afrohemi, është çast i rëndësishëm. Kuptim i tij duhet ta shtyjë çdo njeri të përgatitet, ashtu si kërkon edhe që çdo njeri të shoqërohet kur është fare pranë këtij çasti. Apo jo!
Benedikti XVI kujton Nënë Terezën, e cila dëshironte që të varfërit ta provonin në krahët e vëllezërve e të motrave, ngrohtësinë e Atit që po i pret. Impenjimi i mjekësisë palative për të lehtësuar vuajtjet e të sëmurëve të pashërueshëm, ecën në drejtimin e duhur. E Ati i Shenjtë na kujton se duhet menduar edhe për të afërmit e se edhe atyre u duhen krijuar mundësitë për t’u qëndruar pranë familjarëve në prag të vdekjes. Është një kulturë e tërë solidariteti, që duhet kultivuar, sepse – përfundon Papa - një shoqëri e paaftë për t’i ndihmuar me dashuri njerëzit që vuajnë, është çnjerëzore. Ashtu si ajo që nuk është në gjendje ta ndajë vuajtjen me njerëzit që kryejnë shtegtimin e tyre të fundit në këtë tokë, të cilët nuk duhen lënë vetëm.
Në këtë perspektivë, Kisha ripohon qëndrimin e saj kundër çdo forme të eutanazisë së drejtpërdrejtë. Sepse nuk mund të heqë dorë nga besimi në dashurinë e në shpresën, në kuptimin e vuajtjes e në fatin e mbinatyrshëm të secilit nga ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.