2008-03-01 20:02:32

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(02.03.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e katërt të Kohës së Krezhmëve. U përkujtua edhe Shën Angjela e Kryqit.

Nesër, e hënë, është festa e Shën Kunegundës dhe e Enrikut II perandor. Liturgjia e festës na kujton se të besosh, duke e lëshuar plotësisht veten në dorën e Zotit, është kushti i parë që duhet plotësuar, në se duam të realizohen që në këtë tokë qiejtë e rinj e toka e re, premtuar nga Hyji.

“Dëshiron të shërohesh?”. – Këtë pyetje Jezusi ia bën çdo njeriu, që është i paralizuar në shumë drejtime, që përpiqet t’i kapërcejë kufizimet, të cilat e pengojnë në çdo hap e ta ndjejë praninë e Zotit. E këtë na e kujton edhe liturgjia në festën e Shën Kazimirit, Pajtor i Lituanisë dhe të Shën Umbertit III të Savojës, që do të përkujtohen të martën. Të mos harrojmë: Krishti pret përgjigje!

Shën Luçiani dhe Shën Adriani, të cilët Kisha do t’i festojë të mërkurën, na kujtojnë se Ati qiellor nuk harron asnjeri, përkundrazi, është gati t’u japë të gjithëve jetën e amshuar, duke kërkuar prej tyre një gjë të vetme: T’i binden fjalës së tij dhe të besojnë në Atë që ka dërguar”.

Të besosh në Hyjin, nuk është thjeshtë diçka që lidhet me praktikimin e fesë ose me njohjen intelektuale të saj. T’i besosh Hyjit, do të thotë ta ndjesh veten të varur prej Tij, me bindjen se Ai është burimi i të gjitha sendeve që na duhen për jetën tokësore e edhe për mbretërinë qiellore, ku secili synon të arrijë një ditë. Këtë na e kujton liturgjia e festës së Shën Rozës nga Viterbo, që do të kremtohet të enjten.

 
Jezusin nuk e dënuan vetëm krerët e priftërinjtë, por edhe secili nga ne, sepse duke mëkatuar, nuk e jetojmë çdo ditë, pa u lodhur kurrë, mesazhin ungjillor. Na e kujton këtë festa e Shenjtoreve Perpetua e Feliçita, që do të kremtohen të premten.

Shën Gjoni i Zotit, themelues i Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve dhe i punonjësve të spitaleve, që do të kremtohet të shtunën, na kujton pyetjen e Jeremisë profet: “Sa duhet e sa mund të vuajmë për Zotin?”, e sidomos, përgjigjen që i dha Krishti, duke vuajtur deri në vdekje, deri në kryq!

E diela e ardhshme është e pesta dhe e fundit e Krezhmëve: i paraprin të Dielës së Larit.







All the contents on this site are copyrighted ©.