2008-03-01 10:57:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Krezhmeve: 'Me Jezusin nga errësira në dritë!'


(01.3.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës së krezhmeve, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Tema kryesore që përshkon të gjitha leximet biblike të kësaj së diele është DRITA, drita që zbret prej së larti, që na është dhuruar nga Hyji, që deperton në zemra të njerëzve, që shërbon, ngushllon e shëlbon. Pra, Zoti na do, na shpëton e na udhëheq përmes udhës pendestare tek gëzimi i Pashkëve. Kështu deri tani kemi përshkuar gjysmën e udhës shpirtërore drejt Pashkëve. Nëse ndonjëherë hasim në errësirën e dyshimit, të mëkatit, të vuajtjes pa shpresë…mos të lejojmë të pushtohemi nga frika, sepse Drita ka ardhur në botë. Ai, Jezu Krishti, i shëron sytë tanë të sëmurë e shndritë udhën dhe jetën tonë. Hyji nuk e shikon pamjen e jashtme, por zemrën e njeriut. Drita e Krishtit Zot na ndihmon të jetojmë një jetë të re e të sjellim fryte të mira, të drejta e të vërteta në jetën e përditshme.
Nga Ungjilli (Gjn 9, 1-41)
I verbëri shkoi, u la dhe kur po kthehej, shihte.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi, duke kaluar rrugës, pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që lindi i verbër?”
“Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij - u përgjigj Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur skush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë, jam drita e botës.”
Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë: I dërguari)”.
Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”
“Ai është” - thoshin disa.
“Jo, por është një që i përngjan atij - thoshin disa të tjerë. Ai vetë thoshte: “Unë jam”.
Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?”
Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.”
“Ku është ai?” - i thanë.
“Nuk di” - u përgjigj.
Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve.
Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava - dhe, ja, tani shoh!”
Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!”
Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta.
Pastaj e pyetën prapë të verbrin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?”
“Është profet” - iu përgjigj.
Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”
Atëherë prindërit e tij u përgjigjën: “E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.”
Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi. Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’
Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!”
“A është mëkatar - u përgjigj - s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!” Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”
“Tashti ju thashë - u përgjigj - e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?” Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin:
“Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!” “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme - u përgjigj njeriu - ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbrit që lindi i verbër! Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”
“Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat - iu përgjigjën - e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta.
Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha:
“A beson ti në Birin e njeriut?”
Ai iu përgjigj: “Po kush është Ai, Zotëri, që të besoj në Të?”
“E pe - i tha Jezusi - Është ai që po flet me ty!”
Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij.
Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër, e të verbohen ata që shohin!”
Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”
Jezusi u përgjigj: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.”
Fjala e Zotit.
Këtu mund të dëgjoni komenin e leximeve biblike të kësaj së diele...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.