2008-03-01 20:02:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(02.03.2008 RV)RealAudioMP3 2 mars: Beda Venerabile, një studiues i jashtëzakonshëm.
Ishte një herë një njeri… një manastir… e bota.
Beda lindi në vitin 673 në Angli, pranë manastirit të Jarrovit. Ishte vetëm shtatë vjeç, kur prindërit ia besuan edukimin e tij murgjërve të këtij manastiri. Aty u rrit, u bë diakon e më pas, edhe meshtar.
Vdiq në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeçe.
Beda i Nderuar është i famshëm në botën mbarë: ishte murg specialist në komunikim, apo magjistar i marrëdhënieve publike? Asnjera nga këto dy hamendje nuk është e vërtetë. Përkundrazi. Beda ishte murg i kujdesshëm e i matur, që e kalonte një pjesë të mirë të kohës duke shkruar, i mbyllur në qelinë e tij, ose në bibliotekë. As nëpër mend s’i shkonte të bëhej i famshëm, prandaj, megjithëse ishte i tillë, vdiq në vetminë e manastirit të tij e askush nuk e mori vesh se ishte nisur për në shtëpinë e Atit. Por ja që shkrimet e tij e mësimet e tij ishin aq të shkëlqyera e të reja për kohën, sa s’mund të mos bëheshin shumë shpejt të njohura nga të gjithë. Në sa murgu anglez jetonte duke u lutur e duke studiuar pas kafazit të dritares së manastirit, shkenca e tij përhapej – e vijon të përhapet, në të gjitha vendet e botës.
Historia, shkencat, natyra, gramatika… Beda interesohej për të gjitha. Gjithçka që studionte ky murg gjenial, i dukej e ndriçuar nga feja, që e bënte ta shikonte botën me syrin e Hyjit. Për të, baza e historisë ishte mishërimi i Krishtit. Natyra me elementet e saj: yjet, speciet e fenomenet e ndryshme – ishte një mrekulli e Hyjit dhe një provë e gjallë e dashurisë së tij për njerëzit. Po ai nuk ishte i madh vetëm si studiues.Veprën e tij e lexonin të gjithë ata që donin të zgjidhnin probleme politike ose fetare, të cilat kishin të bënin drejtpërdrejtë me vendin e tij. Në se të gjithëve u dukej se jetonte jashtë botës, i ngujuar në kuvend, mendimi i tij për botën, jashtë mureve, ishte gjithnjë i drejtë e jashtëzakonisht aktual. Falë Bedës, anglezët nisën ta thonë Atynën në gjuhën e tyre e jo në gjuhën latine, të cilën pak kush e njihte. E falë murgut dijetar, Kisha angleze u riorganizua, për të qenë më afër besimtarëve. Mjaft më me ipeshkvij larg dioqezave! Mjaft me priftërinj të pashkollë, që nuk dinë as të predikojnë; me aristokratë të pafe, që pushtojnë manastiret vetëm për traditë familjare!
Beda i Nderuar i la trashëgim Kishës angleze e mbarë njerëzimit veprën ‘Historia kishtare e popullit anglez’ (Historia ecclesiastica gentis Anglorum), për të cilën pasardhësit e quajtën ‘Babai i historisë angleze”. Shkroi edhe një mori veprash të tjera kushtuar muzikës, poezisë e komenteve të Biblës. Akoma sot flitet për madhështinë e Bedës së Nderuar: të këtij murgu të përvujtë, shpallur doktor i Kishës katolike, emri i të cilit është i famshëm në mbarë botën, në Kishën e Anglisë, në mjediset shkencore e….. edhe në manastirin e Jarrovit.








All the contents on this site are copyrighted ©.