2008-02-29 18:25:50

Izraeli kërcënon se do të ndërhyjë në Gazë


(29.02.2008 RV)Izraeli kërcënon palestinezët se nëse do të vazhdojë hedhja e raketave Kasam në territoret e hebrenjve, ata do të pësojnë “një holokaust më të madh”. Ministri izraelit i Mbrojtjes, duke folur pa doreza në radion e ushtrisë, sqaroi se “sa më shumë të intensifikohet zjarri i raketave dhe sa më larg të hidhen ato, aq më shumë palestinezët do të pësojnë një holokaust më të madh, sepse ne – tha ministri – do të mbrohemi me të gjitha forcat”. Edhe më parë, po ky ministër ka deklaruar se ndërhyrja izraelite me një ofensivë në Rripin e Gazës do të jetë e pashmangshme. Pas 19 viktimave të djeshme, edhe sot, sulmet izraelite shkaktuan plagosjen e katër personave, ndër të cilët dy fëmijë.

Presidenca irakiane miratoi ekzekutimin me varje për Hasam Al-Maxhid, kushëri i Sadam Hyseinit, i njohur me emrin “Ali Kimisti”. Ai është dënuar me vdekje për shfarosjen e kurdëve të Anfalit me gaz helmues, në vitin 1988. Gjatë kësaj fushate, mbetën të vrarë 180 mijë kurdë.

Ofensiva turke në veri të Irakut kundër pozicioneve të Partisë së Punës së Kurdistanit përfundoi. Kështu të paktën kanë njoftuar forcat e armatosura të vendit, duke theksuar se objektivat e misionit janë arritur. Ministra e Brendshme irakiane e ka konfirmuar lajmin, ndërsa vetë militantët kurdë flasin për një tërheqje të kufizuar.

Ekonomia amerikane është në vështirësi e kjo duket qartë. Janë fjalët e presidentit Xhorxh Bush, i cili pavarësisht se pranon ekzistencën e krizës, nuk parashikon ndonjë kthim mbrapa. Numri një i bankës amerikane Federal Reserve, Ben Bernanki përjashton mundësinë e paraqitjes së skenarit të frikshëm të amullisë ekonomike nga njëra anë, dhe të rritjes së inflacionit nga ana tjetër. Gjithsesi, këto deklarata nuk e kanë qetësuar tregun botëror të bursave.







All the contents on this site are copyrighted ©.