2008-02-29 18:18:35

Irlanda njohu shtetin e ri kosovar. Serbët do ta çojnë çështjen e pavarësisë në OKB.


(29.02.2008 RV)Irlanda njohu sot pavarësinë e Kosovës. Në deklaratën e tij, Ministri i jashtëm Dermot Ahern nënvizoi se është i vetëdijshëm për reagimin e serbëve, por njohja e shtetit të ri nuk është akt armiqësor kundër Serbisë.
Ndërkaq, ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, nga mbledhja e Sofjes e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, kërcënoi se Beogradi do ta çojë çështjen e pavarësisë së Kosovës para Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, organ i OKB-së. Dje në Beograd, policia ndaloi një manifestim paqësor studentësh, në favor të integrimit evropian të vendit.

Shërbimet sekrete italiane paralajmërojnë qeverinë e Romës se për shkak të gjendjes së brishtë të ekuilibrit në Kosovë, kontingjenti italian mund të përfshihet së shpejti në problemet, që mund të lindin në zonën e Pejës. Në këtë zonë ndodhet edhe enklava serbo-ortodokse me manastirin e vet, e mbrojtur nga ushtarët italianë të KFOR-it. Sipas raportit të shërbimeve sekrete, ngjarjet e mëtejshme mund të përfshijnë edhe krejt rajonin e Ballkanit, i cili gjatë vitit që kaloi, është karaterizuar nga theksimi i temave të identitetit kombëtar dhe ndjekja e një rruge jo gjithnjë të drejtë përsa i përket integrimit euroatlantik.







All the contents on this site are copyrighted ©.