2008-02-29 18:14:46

Besimi në Zotin dhe dashuria për të afërmin janë bazat e dialogut ndërfetar: flet kardinali Toran.


(29.02.2008 RV)RealAudioMP3 Besimi në Zotin dhe dashuria për të afërmin janë bazat e dialogut ndërfetar: këtë pohon deklarata e Komitetit të përbashkët të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe e Universitetit të njohur islamik Al-Azhar, në përfundim të takimit vjetor, mbajtur në Kairo më 25 e 26 shkurtin e kaluar. Dokumenti inkurajon njohjen reciproke ndërmjet islamit e krishterimit, duke vënë theksin mbi impenjimin e feve monoteiste për paqen, drejtësinë e të vërtetën: rol gjithnjë më i rëndësishëm, në një epokë në të cilën shikojmë përhapjen e dhunës e të terrorizmit, njëherësh me përbuzjen për vlerat fetare e për gjithçka që konsiderohet si e shenjtë.

Por, për një bilanc të këtij takimi, të dëgjojmë vetë kardinali Zhan-Lyi Toran, kryetar i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Është bilanc plotësisht pozitiv. Ishte hera e parë që merrja pjesë në këtë takim vjetor. Më preku posaçërisht atmosfera e përzemërsisë së madhe, mund ta quaj vëllazërore, gjatë shkëmbimit të mendimeve tona. Tema e sivjetme ishte: “Dashuria për Hyjin e dashuria për të afërmin”. Zbuluam se të dyja palët mendojmë se feja të shtyn drejt dashurisë e bamirësisë. Feja të nxit ta duash të afërmin. Pala myslimane nguli këmbë mbi faktin se, sipas Kuranit, në çështje feje, nuk duhet të ketë detyrime. Atëherë unë përfitova për të theksuar se ky është parim shumë i bukur, por për fat të keq, në shumë vende nuk zbatohet. Krijohen kështu situata, në të cilat të krishterët nuk lejohen të kenë as një kishë, ku ta praktikojnë kultin e tyre. Ata pranuan se ky është vërtetë problem, e pastaj theksuan me forcë se i duhet prerë rruga çdo prirjeje të disa mjeteve të komunikimit, për të vënë në lojë fetë, simbolet e tyre e librat e tyre të shenjtë. Edhe ne jemi një mendje në këtë pikë e, në komunikatën e përbashkët përfundimtare, cituam fjalët e Benediktit XVI shqiptuar në audiencën me ambasadorin e Marokut pranë Selisë së Shenjtë për paraqitjen e letrave kredenciale më 2006. Papa e thotë qartë se tallja me simbolet fetare nuk mund të përligjet në asnjë mënyrë. Këto janë pikat kryesore rreth të cilave u shkëmbyen mendime gjatë mbledhjes sonë. Do të ritakohemi vitin e ardhshëm, në shkurt, këtu në Romë.

Pyetje: - Ju, Hirësi, përmendët Komunikatën e përbashkët: mund të na thoni, me dy fjalë, cilat janë pikat kryesore?

Përgjigje: - Në pikat kryesore ceken dy konferencat, mbajtur nga një atë domenikan francez e një profesor universiteti, mbi besimin në Hyjin dhe dashurinë për të afërmin, si bazë për dialogun ndërfetar. Pastaj, aty nga fundi, theksohet një gjë tepër e rëndësishme: këto parime u përkasin të gjithë njerëzve, duke nisur nga më të thjeshtët: nuk janë, pra vetëm për një elitë, por për të gjithë njerëzit, që duhet të edukohen me këtë frymë në bankat e shkollës. Unë ngula këmbë, sepse nga njëra anë kemi xhaminë e, nga ana tjetër, Kishat e njerëzit takohen në shkollë. Ne kemi një rrjet shkollash katolike me cilësi të lartë në vendet arabe e mendoj se duhet ta fuqizojmë këtë prani, e cila i bën shkollat tona mjet të dialogut konkret, të dialogut fetar konkret.

Pyetje: - Hirësi, gjatë qëndrimit në Kairo, ju patët edhe takime me bashkësitë e krishtera vendase. E kemi fjalën kryesisht për takimet me Kishën katolike…

Përgjigje: - Kryesova Meshën e së dielës së kaluar në Kishën e Shën Jozefit, për një asamble shumë të larmishme. Shprehem kështu, sepse ishin të pranishëm besimtarë të 52 kombësive të ndryshme. Ishte një Meshë e bukur, me këngë shumë melodioze, me Ungjillin e Samaritanes e me një atmosferë shumë familiare. Më pas vizitova qendrën e etërve domenikanë, qendër dialogu ndërfetar islamo-kristian, me një bibliotekë të njohur botërisht mbi Islamin, një lloj Pisai (Instituti Papnor për studimet arabe e të Islamistikës). Vizitova edhe qendrën e etërve kombonianë, ku shumë të huaj mësojnë gjuhën arabe. Mbajta edhe një konferencë mbi rolin e besimtarëve në shoqërinë e sotme në sallën e një famullie, në praninë e 330 vetëve, ndërmjet të cilëve, shumë myslimanë. E pastaj, përsa i përket Kishës ortodokse, nuk mungoi edhe përmasa ekumenike: i bëra një vizitë patrikut kopt ortodoks të Aleksandrisë së Egjiptit dhe gjithë Afrikës, Papës Shenuda III, që më priti plot mirësjellje.







All the contents on this site are copyrighted ©.