2008-02-29 18:15:07

Atë Kantalamesa në predikimin e dytë të Krezhmëve: Kisha ta predikojë Ungjillin me dashuri, larg “llafeve të botës”.


(29.02.2008 RV)RealAudioMP3 “Të flasësh si flet Hyji”. Kjo ishte tema e predikimit të dytë të Krezhmëve, mbajtur sot paradite nga Atë Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, në praninë e Atit të Shenjtë. Në kapelën ‘Nëna e Shëlbuesit’ rregulltari kapuçin tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve të ruhen nga ‘profetët e rremë’, që flasin ‘fjalë boshe’, të pafrymëzuara nga Hyji.
“Në ditën e gjyqit të mbram njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë” (Mt. 12, 36): ishte pikërisht kjo frazë e shkëputur nga Ungjilli sipas Mateut, që frymëzoi gjithë predikimin e Atë Kantalamesës. Duke kujtuar se predikatar i vërtetë është ai që nuk predikon vetveten, por Krishtin, frati kapuçin theksoi se duhet të ruhemi nga fjalët e panevojshme e të pafrytshme:
“Fjala e panevojshme, për të cilën njerëzit do të japin llogari në ditën e gjyqit të mbram, nuk është çdo fjalë e tillë: është fjala e panevojshme, boshe, e shqiptuar nga ai, që duhej të thoshte fjalët e forta të Hyjit. Është, pra, fjala e profetit të rremë, i cili nuk e thotë fjalën e Hyjit, e megjithatë, përpiqet t’i bindë të tjerët se ajo që thotë është vërtetë fjala e Zotit”.
Prej këndej, predikatari u kujtoi të gjithë njerëzve të Kishës se duhet të ruhen fort nga shtrembërimi i vërtetësisë të fjalës së Hyjit:
“Njerëzit që duhet të japin llogari për çdo fjalë të panevojshme, jemi ne, njerëzit e Kishës; jemi ne, predikatarët e fjalës së Hyjit. Profetë të rremë nuk janë vetëm ata që, herë pas here, përhapin herezi; janë edhe ata që e falsifikojnë fjalën e Hyjit… Profetë të rremë janë ata, që nuk e thonë fjalën e Hyjit ashtu si është, por e stërhollojnë dhe ia humbasin forcën, duke përdorur mijëra fjalë njerëzore, që dalin nga zemra e tyre”.
Në shoqërinë e sëmurë nga zhurmat – shtoi Atë Kantalamesa - është më se i nevojshëm agjërimi i fjalëve, i thashethemnajës së botës, e Kisha duhet t’i shmanget ‘llafeve të kota”, që nuk kanë lidhje me misionin e saj, “kashtës së fjalëve boshe” që s’vlejnë për tjetër, veçse për të mbushur gazetat. Në sa predikatari i fjalës së Hyjit nuk duhet ta përdorë kurrë fjalën e Ungjillit për qëllime të tjera. Predikatari i vërtetë e vë gjithnjë Fjalën e Hyjit në shërbim të njeriut. E kjo do të thotë ‘ Të flasësh në Krishtin. Të flasësh si flet vetë Hyji”.







All the contents on this site are copyrighted ©.