2008-02-29 18:15:26

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(29.02.2008 RV)RealAudioMP3 29 shkurt: Ia dhuroi Papa Gregori XIII vendeve kryesore të botës këtë ditë, që e jetojmë vetëm një herë në katër vjet.
Të dashur miq që na ndiqni: e kemi filluar prej dy muajsh këtë rubrikë, titulluar: “365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës”.
Veç sivjet viti nuk ka 365 por 366 ditë, sipas Kalendarit Gregorian, një dhuratë tjetër që i bëri Kisha katolike njerëzimit.
Po cila është historia e Kalendarit Gregorian?
Kalendar zyrtar i shumicës së vendeve të botës, ai quhet me emrin e Gregorit XIII, sepse ishte ky Papë që e hartoi dhe e përhapi, duke nisur nga viti 1582, me bulën papnore Inter Gravissimas, të cilën e shpalli nga selia e tij e Vilës Mondragone, pranë Monte Porcio Katones, në Itali, pasi rishikoi Kalendarin Julian, që ishte në fuqi më parë. Është kalendar diellor, dmth i bazuar mbi ciklin e stinëve. Sipas tij, viti ka dymbëdhjetë muaj, me numër të pabarabartë ditësh (nga 28 te 31ditë), që bëjnë së bashku 365 ose 366 ditë. Vitet me 29 ditë, si ky që po jetojmë, quhen të brishtë ose perishtupë.
Të gjithë e dinë sa ditë ka çdo muaj: janari, marsi, maji, korriku, gushti, tetori, dhjetori kanë 31 ditë, ndërsa prilli, qershori, shtatori e nëntori, 30-të. Shkurti, herë 28 e herë 29, si sivjet.
Për ta dalluar gjatësinë e muajve, populli ka krijuar këto vargje tepër të thjeshta, që mbahen mend menjëherë:
Tridhjetë ditë ka nëntori,
prill’, qershor’ edhe shtatori,
njëz’t e tetë ka vetëm një
gjithë të tjerët, tridhjetë e një!
Kujtojmë se për ta reformuar Kalendarin Julian, Papa Gregori XIII caktoi një komision specialistësh, të kryesuar nga matematikani bavarez Kristofer Klavius, jezuit. Gjatë punimeve dhanë ndihmesë tepër të rëndësishme edhe mjeku kalabrez, Luigji Lilio dhe matematikani perugjin, Atë Injac Danti. Për sistemimin e Kalendarit Julian u përdorën matjet e astronomit Nikolo Koperniku, botuar në vitin 1543, pikërisht në vitin kur vdiq, me titullin ‘De Revolutionibus orbium coelestium libri sex’ (Gjashtë libra mbi lëvizjet rrethore të trupave qiellorë), Shkencëtari gjenial polak, Kanonik në katedralen e Frauenburgut (Gjermani), kishte arritur të llogariste, me saktësi mjaft të madhe, si vitin tropik, ashtu edhe atë sideral.
Kalendari gregorian hyri në fuqi më 15 tetor të vitit 1582 (5 tetor, sipas Kalendarit Julian) njëherësh në Itali, Francë, Spanjë, Portugali, Poloni, Lituani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg; ndërsa në vendet e tjera katolike, në data të ndryshme gjatë pesë viteve të mëpasme (në Austri - nga fundi i vitit 1583; në Bohemi e Moravi, si dhe në kantonet katolike të Zvicrës, në fillim të vitit 1584).
Në vende të tjera hyri më pas: shtetet luterane, kalviniste e anglikane e pranuan në shekullin XVIII, ato ortodokse, më vonë.
Kisha ortodokse ruse dhe ajo e Jeruzalemit vijojnë edhe sot të ecin me Kalendarin Julian. Prandaj ortodoksët i kremtojnë festat fetare me datë të pandryshueshme, 13 ditë më vonë se konfesionet e tjera të krishtera.
Ndërsa ata që lindin më 29 shkurt, e kremtojnë ditëlindjen çdo katër vjet.
Po në Shqipëri, ç’ ndodhte në vitin 1582, kur një pjesë e mirë e vendeve të botës niste t’i maste ditët e jetës me Kalendarin e ri?
Edhe Shqipëria e ka Kalendarin e sotëm dhuratë nga Kisha katolike. Në atë kohë vendi ishte i pushtuar nga turqit, vetëm Mirdita mbahej akoma. Megjithatë, Kisha Katolike në viset shqiptare, që ecte me të njëjtin hap me Kishën universale, i përballoi vështirësitë, që lidheshin me bindjen e besimtarëve për të pranuar e për të zbatuar në jetën e tyre të përditshme Kalendarin e ri Gregorian, i cili më 1582 zëvendësoi atë Julian kryesisht në viset veriore të Shqipërisë.
Kjo reformë kalendarike e ndërmarrë nga Gregori XIII, për një kohë të gjatë shkaktoi keqkuptim e hutim ndër besimtarët katolikë, të cilët nuk e kishin të lehtë të braktisnin traditën e Kalendarit Julian, si përsa u përket datave të festave fetare, ashtu edhe kalendarizimit veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore. Për më tepër, reagimet negative ndaj kalendarit të ri nxiteshin edhe nga fakti se ortodoksët vijonin t’i përmbaheshin kalendarit të vjetër. Megjithatë, si çdo e re progresive, edhe Kalendari i ri fitoi: Shqipëria, së paku përsa i përket kalendarit, ecën në një hap me botën e qytetëruar.Jetuam, pra së bashku, disa çaste të ditës së 29-të të shkurtit, në vitin e brishtë 2008. Urojmë që të gjithë dëgjuesit t’i kujtojnë përsëri këto çaste në ditën e 29-të të shkurtit 2012.







All the contents on this site are copyrighted ©.