2008-02-28 18:55:13

Pozitiv bilanci i kardinalit Bertone pas kthimit të tij nga Kuba.


(28.02.2008 RV)RealAudioMP3 Kardinali Tarçizio Bertone u kthye mbrëmë në Vatikan, pas vizitës në Kubë, ku mori pjesë në kremtimet me rastin e dhjetëvjetorit të shtegtimit historik të Gjon Palit II në Ishullin karaibik. Sapo u kthye, kardinali Bertone bëri bilancin, shumë pozitiv, të këtij udhëtimi, në mikrofonin e Radio Vatikanit e në faqet e gazetës ‘L’Osservatore Romano”. Ta dëgjojmë vetë kardinalin Bertone:

Përgjigje: - Më duket se bilanci mund të quhet sigurisht pozitiv, posaçërisht përsa i përket takimit me Kishën kubane: Kishë plot gjallëri, pavarësisht nga vështirësitë që ndesh në veprimtarinë e saj në disa rrethana, por gjithsesi, Kishë e bashkuar rreth ipeshkvijve të vet, me një Konferencë ipeshkvnore autoritare, me meshtarë, rregulltarë e rregulltare, që japin jo vetëm dëshmi të jetës shpirtërore, por që zhvillojnë edhe veprimtari shoqërore, që ndihmojnë të varfërit e që punojnë me sukses të madh në gjirin e rinisë. Unë kam qenë tri herë në Kubë, kjo ishte e treta herë, kështu që mund të jap një dëshmi shumë pozitive për këtë bashkësi katolike, të organizuar në njëmbëdhjetë dioqeza, me traditë të madhe të krishterë, posaçërisht në Adhurimin e Eukaristisë e në devocionin për Zojën e Bekuar.
E pastaj, përsa u përket marrëdhënieve me autoritetet civile, bilanci ishte po aq pozitiv. U takova me delegacione të drejtuesve të jetës civile, të qeverisë e edhe me njerëz të veçantë, si me presidentin e ri, Raul Kastron. Më duket se ka perspektiva për të punuar së bashku, se shteti ka besim në veprimtarinë e Kishës e se mund t’i krijojë hapësira të reja pranisë së saj. Nuk kam parasysh vetëm asistencën shoqërore, por kryesisht hapësirën për formimin e të rinjve e edhe për mjetet e komunikimit shoqëror.

Pyetje: - Cili është mesazhi juaj për Kishën në Kubë e për kubanët?

Përgjigje: - U lashë këtë mesazh: të jenë shumë afër popullit, t’i dëgjojnë kërkesat e këtij populli, që ka vuajtur aq shumë. Ka vuajtur, siç e dimë, edhe për shkak të konjukturave ekonomike e të kufizimeve që vijnë nga jashtë, të cilat dëmtojnë ekonominë e zhvillimin e përgjithshëm të Ishullit. Megjithëkëtë, pashë një popull që vijon të ketë ideale, e sidomos të rinj, që kanë etje për ringjallje e për afirmim të identitetit të tyre, në përgjithësi - identitet thellësisht katolik.
U lashë edhe mesazhin e besimit në të ardhmen, sepse të gjithë së bashku mund të punojnë për zhvillimin e plotë që çon drejt humanizmit të plotë.








All the contents on this site are copyrighted ©.