2008-02-28 18:33:19

Papa në audiencën me ipeshkvijtë e Salvadorit: “Të luftohet kundër dhunës, për kulturën e paqes”.


(28.02.2008 RV)RealAudioMP3 “Mbrojtja e familjes, lufta kundër varfërisë, edukimi i breznive të reja”: këto janë tri temat kryesore që preku Benedikti XVI në audiencën me ipeshkvijtë e Salvadorit, të cilët i priti sot paradite në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’ – ‘te Varret e Apostujve’. Papa pohoi se nga njëra anë u duhen krijuar të gjithëve kushtet për ta jetuar jetën me dinjitet, ndërsa nga ana tjetër, njeriu nuk mund e nuk duhet të bëhet thjeshtë prodhim i shoqërisë, në të cilën jeton.
A causa de la situación de pobreza…
Për shkak të varfërisë - kujtoi me hidhërim Ati i Shenjtë - shumë salvadorianë detyrohen të mërgojnë, në kërkim të një jete më të mirë. Ky fenomen ka shumë pasoja negative, sepse shkakton paqëndrueshmërinë e martesës dhe shpërbërjen e familjes.
Papa kujtoi me kënaqësi përpjekjet e mëdha të prelatëve për të siguruar paqen e pajtimin në vend, duke kapërcyer, kështu, kundërvëniet e dhimbshme të së kaluarës. Benedikti XVI foli edhe për plagën e përdorimit të dhunës, që është shumë e përhapur në vendin qëndroamerikan. Duke analizuar shkaqet, vërejti se shtimi i rasteve të përdorimit të dhunës është pasojë e plagëve, akoma më të thella, si varfëria, mungesa e edukimit, shpërbërja e familjes, humbja e vazhdueshme e vlerave, që kanë qenë gjithnjë shpirti i popullit të këtij vendi.
Frente a la pobreza de tantas personas…
Përballë varfërisë së shumë njerëzve - theksoi me forcë Papa – është e domosdoshme të përmirësohen strukturat dhe kushtet e jetesës, duke u krijuar të gjithëve mundësitë të jetojnë denjësisht, pa harruar se njeriu nuk është thjeshtë prodhim i kushteve materiale e shoqërore në të cilat jeton. Ka nevojë për diçka më shumë, dëshiron diçka më tepër, se mund t’i japë shkenca ose çfarëdolloj nisme njerëzore.
Los hombres anhelan a Dios en lo más íntimo de su corazón…
Njerëzit – tha Papa - kanë etje për Hyjin në thellësi të zemrave të tyre. Vetëm Ai mund t’ua shuajë etjen për një jetë të vërtetë, sepse vetëm në Të mund të gjejnë dashurinë e pakushtëzuar, që është më e fortë se vdekja!Kujtojmë se, në emër të ipeshkvijve të Salvadorit, Papën e përshëndeti imzot Fernando Sáez Lavale, kryetar i episkoptatit salvadoarian.







All the contents on this site are copyrighted ©.