2008-02-28 18:33:31

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(28.02.2008 RV)RealAudioMP3 28 shkurt: Murgjërit mjekë përpiqen t’i shërojnë të gjithë, kudo që të jenë
“Vëlla Pal, eja shpejt. Shpejt, shpejt… Im atë ka ethe, digjet si zjarri e flet kllapi”. Sytë e Zhanit të vogël janë plot me lot, që i rrokullisen faqeve, ndërsa troket në portën e kuvendit: duket se i jati është vërtetë rëndë. Vëlla Pali, mjeku i fshatit, e merr për dore fëmijën, që i prin drejt shtëpisë së vet. Si e ka vizituar të sëmurin, murgu nxjerr nga torba një ilaç që e ka bërë vetë me bimë mjekësore. Duke ia ngritur embëlsisht kokën të sëmurit, i jep të pijë disa gëllenjka prej tij.
“Ethet duhet t’i ulen” – i thotë nënës e fëmijëve. “Nesër në mëngjes jepini edhe ca pika të tjera. Do të vij përsëri për ta parë si është. Besoj se do ta gjej shumë më mirë”.
Jemi në shekullin VIII, në prag të Mesjetës: epokë tepër e vështirë. Shumica e vendeve të Evropës janë ende të përhumbura me pyjesh të papërshkueshme. Nuk është e lehtë të jetosh në fshatrat e ndërtuara në mes të këtyre pyjeve, ku ngrihet edhe kuvendi i Fra Palit. Njerëzit vdesin për ditë nga të ftohtit, uria e sëmundjet.
Sot, në vendet tona, kur ndokush është i sëmurë, shkon menjëherë te mjeku, i cili e viziton, i jep ilaçet e, në se ka ndonjë sëmundje të rëndë, e shtron në spital. Shumica e sëmundjeve shërohen shpejt e shpejt, falë ilaçeve të përshtatshme. Por në kohën kur jeton vëllau Pal, nuk ka as ilaçe, as spitale e as mjekë. Fakultetet e mjekësisë, ku mësojnë mjeshtrinë mjekët e sotëm, asokohe nuk ishin ngritur akoma. E kështu shumë murgjër të kohës, si Fra Pali, kryejnë edhe detyrën e mjekut. Po pse pikërisht murgjërit? Sepse shpesh janë më të mësuar se katundarët. Disa prej tyre dinë të shkruajnë e të lexojnë: kështu janë në gjendje edhe të studiojnë, të shkëmbejnë mendime me botën e kulturës së kohës e edhe të gjejnë ilaçin e duhur në kohë të duhur. Më vonë recetat e tyre do t’u shërbejnë mjekëve të vërtetë, të përgatitur në universitete. Pastaj, murgjërit kanë më shumë kohë sesa fshatarët për të kultivuar në kopshtet e kuvendeve të tyre bimë mjekësore, që shërojnë shumë nga sëmundjet e kohës. Shpesh i ndihmojnë njerëzit që vuajnë, që janë të trishtuar, duke i këshilluar, duke i shëruar vetëm me fjalën e mirë. E, sidomos, murgjërit mjekë, e duan mjeshtrinë e tyre, që për ta është e shenjtë. E dinë se kur mjekojnë të varfërit, është njësoj si të mjekonin Zotin. Vetë Krishti ka thënë: ‘Atë që bëni për më të voglin ndërmjet njerëzve, ma keni bërë mua!







All the contents on this site are copyrighted ©.