2008-02-27 17:58:06

Në Kamboxha, procesi kundër Khmerëve të Kuq


(27.02.2008 RV)Ish-komandati i qendrës më të tmerrshme të burgosjes dhe torturës së regjimit kamboxhian të Khmerëve të Kuq, Kiang Guek Eav, i ashtuquajturi “Daç”, qau me lot kur u çua nga gjykatësit në vendin e varrosjes së 16 mijë viktimave të regjimit. Komandati në fjalë i nënshtrohet aktualisht një procesi për krime kundër njerëzimit. Ish-mësues, 65-vjeçari Daç është kthyer në krishterim dhe është i vetmi ndër pesë liderët e Khmerëve të Kuq në burg, që ka shprehur keqardhjen për atë që ka bërë, duke vendosur të bashkëpunojë me gjykatësit. Gjatë vizitës në varrezën masive, që njihet si “fusha e vrasjeve”, u lut pranë pemës në të cilën ai dhe shokët e tij u përplasnin kokën fëmijëve për t’i vrarë. Nën drejtimin e tij, një shkollë e zonës u kthye në burg, ku pyeteshin dhe torturoheshin të gjithë ata që më vonë gjenin vdekjen në fushën e vrasjeve.

Një gazetare moldave, kritike ndaj Kremlinit, por që punon për gazetën javore ruse “The new Times” (Kohët e reja) u ndalua sot në aeroportin e Moskës, për t’u kthyer mbrapsht në Moldavi. Është hera e dytë që i ndodh diçka e tillë, edhe pas martesës së saj me një koleg rus, që automatikisht i jep të drejtën të ketë rezidencën në Rusi dhe të bëhet nënshtetase ruse pas tre vjetësh. “Një vend i madh dhe i fortë ka frikë nga një gazetare e re – komenton në protestën e vet, Bashkimi i gazetarëve të Rusisë. Është krejt e qartë se kemi të bëjmë me persekutim për shkak të aktivitetit të saj profesional”. Në artikullin e saj të fundit, titulluar “Shtëpia e zezë e Kremlinit”, gazetarja Natalia Morar përshkruante me imtësi se si zgjedhjet legjislative të 2 dhjetorit në Rusi janë financuar nga administrata presidenciale e Vladimir Putinit.

Rritet tensioni në Kenia, pasi ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan njoftoi pezullimin e bisedimeve ndërmjet presidentit Kibaki dhe kreut të opozitës, Odinga. Dy fraksionet politike nuk arritën në asnjë lloj marrëveshje. Ekziston rreziku që dhuna të shpërthejë sërish.

SHBA-të i kërkojnë Turqisë që t’u japë fund inkursioneve ajrore në Irak, kundër bazave të guerrilasve të Partisë së Punës së Kurdistanit. Bagdadi ka protestuar zyrtarisht kundër Ankarasë, e cila ka deklaruar nga ana e saj, se nuk do të fiksojë asnjë kalendar për tërheqjen e trupave nga Iraku. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts ndodhet sot në Turqi dhe kërkoi që operacioni të përfundojë brenda dy javësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.