2008-02-27 17:50:24

Medvedev akuzon SHBA-të se me Kosovën sjellin paqëndrueshmëri në Evropë


(27.02.2008 RV)RealAudioMP3 Rusia vazhdon të akuzojë SHBA-të për çështjen e Kosovës. Sipas favoritit për presedencën ruse, Dmitrij Medvedev, Uashingtoni, duke njohur e mbështetur pavarësinë e Kosovës, nxit krijimin e situatave të paqëndrueshme në Evropë. Medvedev mendon se kontinenti i vjetër është në një pozitë shumë të vështirë, para një Amerike që duke qenë larg gjeografikisht, nuk i interesojnë shumë konfliktet që mund të zgjohen në brendësi të Evropës. Akuzës i përgjigjet zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Tom Kejsi, për të cilin, SHBA-të do të vazhdojnë dialogun me Rusinë, pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme për Kosovën. Por ajo që kërkojnë amerikanët, është respekti i anasjelltë, pa dhunë e kërcënime. Nga ana tjetër, përfaqësuesi amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës, Frenk Uizner, duke folur në Institutin Amerikan të Paqes sqaroi një herë e përgjithmonë se as SHBA-të, as Evropa nuk kanë ndërmend të anullojnë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gara ndërmjet kandidatëve demokratë për presidencën e SHBA-ve përfshin edhe çështjen e Kosovës. Për të u fol në debatin televiziv ndërmjet senatorëve Hilari Klinton dhe Barak Obama, para votimeve në dy shtete kyçe, Ohajo dhe Teksas. Si Obama, i cili tashmë gëzon një popullaritet shumë më të madh se gruaja e ish-presidentit Klinton, ashtu edhe kjo e fundit mbështetën ndërhyrjen amerikane në Kosovë dhe shpalljen e pavarësisë së saj. Obama, duke kritikuar politikën e presidentit aktual Bush ndaj Rusisë, sidomos në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, theksoi se në rast se Moska do të kërcënojë shtetin e ri të pavarur, ai do të bashkëpunojë fuqimisht me bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur Prishtinën.







All the contents on this site are copyrighted ©.