2008-02-27 17:35:43

Kardinali Bertone kthehet në Itali pas vizitës në Kubë. Dje, takimi me presidentin e ri, Raul Kastro.


(27.02.2008 RV)Dje, para kthimit të tij në Romë, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, u prit nga presidenti i ri kuban, Raul Kastro, në përfundim të shtegtimit të tij të gjashtë ndërkombëtar në detyrën e re, të ngarkuar nga Benedikti XVI në shtator 2006. Në takim morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të Kishës e të Shtetit.
Pak para se të hipte në avion, kardinali Bertone deklaroi se i bëri presidentit Kastro urimin për suksese në misionin e tij në shërbim të vendit. Njëkohësisht shtoi se ripohoi edhe dëshirën e veçantë të Selisë së Shenjtë për të promovuar gjithnjë më shumë afrimin e botës me Kubën si dhe mirëkuptimin për çështje të rëndësishme ndërkombëtare. Duke theksuar respektin për sovranitetin e vendit e të nënshtetasve të tij, Kardinali Bertone i shprehu presidentit Kastro edhe shqetësimin e Kishës për të burgosurit politikë dhe familjet e tyre.
Ministri i Punëve të Jashtme, Felipe Pérez Rok e quajti takimin “të përzemërt, respektues e të sinqertë”.Përfundoi kështu vizita e kardinalit Bertone në Kubë, ku për gjashtë ditë me radhë kremtoi çaste të ndryshme kishtare e publike, duke theksuar në mënyrë të posaçme se “liria fetare nuk do të ishte e plotë dhe e vërtetë, në se nuk do t’i njihej edhe përmasa publike. Një shtet që dëshiron ta respektojë këtë liri – shtoi - nuk mund të mos krijojë kushtet e përshtatshme për jetën fetare, në mënyrë që nënshtetasit të ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre e të kryejnë detyrat e tyre shpirtërore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.