2008-02-26 18:00:01

Një vizitë nga e cila priten arritje të rëndësishme ekumenike e ndërfetare: nga 2 deri më 9 mars kardinali Bertone do të shkojë për vizitë në Armeni e në Azerbajxhan.


(26.02.2008 RV)Një vizitë e dyfishtë në vendet e Kaukazit, për t’u përcjellë përshëndetjen e Papës bashkësive të krishtera vendase e, sidomos, për të ripohuar impenjimin e Kishës në dialogun ekumenik e ndërfetar. Ky është qëllimi i udhëtimit që do të bëjë kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, nga 2 deri më 6 mars, në Armeni e Azerbajxhan.
Në fazën e parë të udhëtimit, më 2 deri më 6 mars, kardinali Bertone do të takohet me autoritetet civile e fetare armene: posaçërisht sekretari i Shtetit do të pritet nga Patriku e Katolikosi i të gjithë armenëve, Karekini II, të cilit do t’i dorëzojë një letër të shkruar me dorë nga vetë Benedikti XVI. Përmes kësaj letre – shpjegohet në një notë zyrtare – Papa shpreh nderimin e tij të thellë për Kishën Apostolike Armene dhe dëshirën e Kishës Katolike për të vijuar së bashku rrugën ekumenike.
Nga 6 deri më 9 mars Kardinali Bertone do të jetë në Azerbajxhan, ku do të takohet me kreun e myslimanëve të Kaukazit, Sheh ul-Islamin Allashukur Pashazade dhe autoritetet e tjera fetare, të cilave – pohon akoma komunikata e Selisë së Shenjtë – sekretari i Shtetit do t’u shprehë vullnetin e Kishës katolike për bashkëpunim, në favor të paqes, të harmonisë ndërmjet popujve, për të mirën e mbarë familjes njerëzore. E rëndësishme, ndërmjet të tjerash, ceremonia që do të kryesojë kardinali Bertone në Baku: përurimi i kishës së re katolike, ndërtuar mbi një truall, dhuruar Gjon Palit II nga presidenti i atëhershëm, Haidar Aliev, babai i kryetarit të sotëm të shtetit azerbajxhanas.







All the contents on this site are copyrighted ©.