Kardinali Bertone nga Kuba, e quan të papranueshme embargon: sot takimi me Raul Kastron.
(26.26.2008 RV )Dita e fundit e vizitës së kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar
i Shtetit të Vatikanit, në Kubë. Pak para nisjes për Romë - takimi me presidentin
e ri, Raul Kastro. Ndërsa dje bisedoi me studentët e Universitetit të Havanës
dhe me gazetarët. Në Universitetin e Havanës mbajti një ligjëratë me temë “Kultura
dhe themelet etike të jetës njerëzore”, duke theksuar se ‘Kisha katolike nuk identifikohet
me asnjë kulturë të veçantë, por e ndjen veten pranë të gjitha kulturave’. Gjatë
konferencës së shtypit, pas një takimi pune me ministrin e jashtëm, Felipe Pérez Rok,
kardinali Bertone saktësoi: “Besoj se presidenti i ri Raul, Këshilli i ri i Shtetit
dhe vetë Kisha katolike, po përpiqen ta mbështesin popullin kuban e t’i përgjigjen
me të gjitha mënyrat aspiratave të tij, duke pasur parasysh edhe vështirësitë e shumta
që krijohen nga embargoja ekonomike. Në vijim Hirësia e Tij përsëriti pohimin e Gjon
Palit II, i cili e pati quajtur embargon të papranueshme, të dëmshme për popullin
kuban e të pamoralshme. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali Bertone
theksoi se nuk ka kërkuar amnisti, por gjeste pajtimi dhe shtoi se Kisha e përshëndet
si gjest pozitiv lirimin e të burgosurve politikë, siç ka ndodhur kohët e fundit. Duke
bërë një bilanc të shpejtë të vizitës së tij, në përfundim e sipër, kardinali Bertone
kujtoi posaçërisht rolin e të rinjve, që janë ardhmëria e Kubës; e Kubës së lirë,
e Kubës - komb i përparuar, së cilës i respektohet plotësisht autonomia. Këto ditë
– pohoi Hirësia e Tij - pata rastin të takoj shumë të rinj tepër entuziastë, njerëz
që luftojnë për pavarësinë e Kubës kundër çdo force shtypëse të jashtme e të brendshme.
Ndërkaq Konferenca ipeshkvnore katolike e Kubës, në një komunikatë të shkurtër,
shpreh besimin në autoritetet e reja kubane, me shpresë se do të merren masa të rëndësishme
për t’i dhënë fund anktheve e shqetësimeve që shprehin sot kubanët.Ditën e fundit
të vizitës, Kardinali Bertone e nisi me kremtimin e Meshës në Penalver, më pas u takua
me salezianët e salezianet e Havanës, për të vijuar me vizitën në Shkollën e Mjekësisë
Latinoamerikane, ku studiojnë qindra të rinj nga 14 vende të zonës. Së fundi, pak
para nisjes për Romë, sekretari i Shtetit do të takohet me Raul Kastron dhe ministrat
e tjerë.