2008-02-26 17:55:55

600 viktima në 10 ditë në Darfur


(26.02.2008 RV)Rreth 600 vetë, sidomos gra e fëmijë, kanë gjetur vdekjen në dhjetë ditët e fundit në rajonin sudanez të Darfurit. Shifra shqetësuese referohet nga “Koalicioni për shpëtimin e Darfurit” dhe nga “Grupi Ndërkombëtar i Krizave”. Pikërisht sot bie 5 vjetori i fillimit të konfliktit, i cili sipas bilancit më të fundit, ka shkaktuar 400 mijë viktima e 2,8 milion të shpërngulur. Në komunikatën e dy grupeve të përmendura denoncohet fillimi i bombardimeve nga ana e qeverisë së Sudanit, më 18 shkurt.

Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs, e cila ndodhet për vizitë në Pekin, i bëri sot thirrje Kinës që të ushtrojë ndikimin e vet mbi Korenë e Veriut për ta bindur të fillojë shkatërrimin e çdo gjëje që bën pjesë në programin e saj bërthamor. Pasi u impenjua në shtatorin e vitit të kaluar për të hequr dorë nga ky program, Piong-jangu i pezulloi bisedimet, duke akuzuar SHBA-të se nuk i kanë mbajtur premtimet për ndihma humanitare dhe ekonomike.

Hilari Klinton humb shkëlqimin e vet për t’ia kaluar aureolën e fitimtarit kandidatit tjetër demokrat për president, Barak Obama. Sipas sondazheve, 7 ndër 10 vetë janë të bindur se ai do të jetë përfaqësuesi i demokratëve në garën me senatorin liberal Xhon MekKein. Pavarësisht se Hilari ka më shumë përvojë se i riu afroamerikan, tani, ky i fundit konsiderohet me aftësi më të mëdha e sidomos me karizëm për president. Por dihet që në SHBA gjërat mund të ndryshojnë nga mëngjesi në darkë, prandaj gara nuk ka përfunduar akoma.

Atentat i ri tragjik në Irak. Së paku 40 vetë kanë mbetur të vrarë, kur një kamikaze shpërtheu në një autobuz në perëndim të Mosulit. Provinca e Ninives, që ka si qytet kryesor Mosulin, është kthyer në kështjellë të militantëve të Al Kaidës, që kur këta të fundit u përzunë nga zona e Bagdadit me ofensivën e trupave irakiane dhe amerikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.