2008-02-25 17:22:49

Në Kairo të Egjiptit, organizohet Takimi X i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar me Universitetin Islamik Al-Azhar. I pranishëm, kardinali Toran.


(25.02.2008 RV)RealAudioMP3 Filloi sot e do të vijojë edhe nesër, në Kairo të Egjiptit, takimi vjetor i Komitetit të përbashkët të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe Universitetit të mirënjohur islamik Al-Azhar, me pjesëmarrjen e kryetarit të dikasterit, kardinalit Zhan-Lyi Toran. Po, ç’ domethënie ka kjo ngjarje? Përgjigjet, në mikrofonin e Radios sonë, kryeipeshkvi Majkëll Luis Ficxherëlld, nunc apostolik në Republikën arabe të Egjiptit dhe delegat i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës të Lidhjes së Shteteve arabe, me seli në Kairo:

Përgjigje: - Ky takim është rifillim i bisedimeve, etapë e re. Komiteti i përbashkët u themelua në vitin 1998, dmth dhjetë vjet më parë, prandaj ky është takimi X. Interesant fakti se pikat e zgjedhura për këtë takim janë besimi në Hyjin e dashuria ndaj të afërmit, si bazë për dialogun ndërfetar. Shpresoj që kjo t’i japë një shtytje të re forcimit të marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në botë.

Pyetje: - Çfarë ka ndryshuar në dialogun ndërmjet krishterimit e islamit pas fjalimit të Benediktit XVI në Regensburg, pasuar nga letra e 138 dijetarëve myslimanë?

Përgjigje: - Vërehet, ndoshta, më shumë vëmendje nga ana myslimanëve, duke pasur parasysh përgjigjen që u dha Ati i Shenjtë dhe propozimin për dialog. Kemi, pra, një nismë nga pala myslimane. Na kënaq pa masë kjo nismë. Vërtetë e re në këtë Letër, në dokumentin e këtyre 138 dijetarëve myslimanë, është se kanë theksuar kryesisht dashurinë ndaj Hyjit e ndaj të afërmit. E kjo është shumë pranë mesazhit tonë ungjillor. Prej këndej, lindin shpresa të reja për të siguruar një dialog më të thellë.

Pyetje: - Papa ka thënë se dialogu ndërmjet përfaqësuesve të feve të ndryshme, kërkon, në radhë të parë, respekt reciprok….

Përgjigje: - E dimë se ndërmjet myslimanëve e të krishterëve ka pika të përbashkëta, por sigurisht nuk është fe e përbashkët në Krishtin. Duhet, prandaj, të respektojmë ndryshimet, duke u përpjekur të gjejmë fushat ku kemi më shumë mundësi të bashkëpunojmë e ta ndihmojmë njëri-tjetrin.

Pyetje: - Ç’mund të bëhet për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve?
 Përgjigje: - Besoj se gjëja e parë që duhet bërë, është sidomos të takohemi e të njihemi. Shumë shpesh njohja nuk është e plotë, është krejt e cekët. Këtu nuk është fjala për të njohur njerëzit. Duhet njohur më thellë e më mirë feja, për t’i kuptuar, më pas, edhe njerëzit. Unë besoj se ka akoma shumë për të bërë në këtë fushë, për arritjen e njohjes më të thellë me fetë e tjera e, posaçërisht, me islamin.







All the contents on this site are copyrighted ©.