2008-02-25 17:22:15

Në fjalimin drejtuar Akademisë Papnore për Jetën, Benedikti XVI kërkoi që i sëmuri të ndihmohet për të jetuar me dinjitet, duke mos e pranuar eutanazinë.


(25.02.2008 RV)RealAudioMP3 Shoqëria duhet ta ndihmojë të sëmurin rëndë për ta përballuar me dinjitet çastin e vdekjes: këtë pohoi Benedikti XVI, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e Kongresit me temë “Pranë të sëmurit të pashërueshëm, në prag të vdekjes: orientime etike dhe operative”, që vijon këto ditë në Vatikan. Kongresi organizohet nga Akademia Papnore për Jetën, me rastin e asamblesë së saj XIV të përgjithshme.
Papa dënoi përsëri me forcë çdo formë të eutanazisë, duke uruar që Kisha dhe Institucionet civile të bashkëpunojnë për t’i siguruar të sëmurit rëndë dhe familjarëve të tij, gjithë ndihmën për të cilën kanë nevojë.
“Në një shoqëri të ndërlikuar, të ndikuar fuqimisht nga zhvillimi i prodhimit e nga kërkesat e ekonomisë, njerëzit e ligësht e familjet më të varfëra nuk janë në gjendje t’u bëjnë ballë vështirësive ekonomike ose sëmundjeve. Gjithnjë më shumë në qytetet e mëdha shikojmë njerëz të moshuar e të vetmuar, edhe në çastet e sëmundjeve të rënda e në prag të vdekjes. Në situata të tilla – theksoi me forcë Papa – ideja e eutanazisë është tepër e pranishme, posaçërisht në mjediset që e shikojnë njeriun vetëm si mjet fitimi”.
Edhe në këto kushte e duke u nisur nga mësimi shumëshekullor i Kishës, Benedikti XVI e dënoi përsëri ashpër çdo formë të eutanazisë së drejtpëdrejtë. E më pas foli për mbrojtjen e njeriut në rrethana të ndryshme, që kanë të bëjnë me shëndetin e tij, qysh nga lindja e fëmijëve, tek mbrojtja në punë e tek përballimi i sëmundjeve të pashërueshme, duke bërë thirrje që shoqëria t’i qëndrojë pranë në çdo çast ligështie. E jo vetëm të sëmurit – nënvizoi Papa - por edhe familjarëve më të afërt, të cilët duhet të kujdesen për të sëmurët rëndë.







All the contents on this site are copyrighted ©.