2008-02-25 17:22:31

Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Benediktit XVI për popullsitë e Ekuadorit dhe ftesa drejtuar besimtarëve për t’i përballuar pakënaqësitë e jetës, duke takuar Jezusin.


(25.02.2009 RV)RealAudioMP3 Solidaritet me popullsitë e Ekuadorit, të tronditura rëndë nga fatkeqësitë natyrore: për këtë bëri thirrje në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa dhe, në të Dielën e tretë të Krezhmëve, foli kryesisht për takimin e Jezusit me Samaritanen, sipas Ungjillit të liturgjisë.
“Dialogu ndërmjet Jezusit e Samaritanes është një nga tekstet më të bukura e më të thella të Biblës” – nënvizoi Benedikti XVI, duke i ftuar të gjithë ta lexojnë e ta meditojnë personalisht këtë faqe të Ungjillit të Shën Gjonit, për t’ia matur thellësinë, duke e vënë veten në vendin e kësaj gruaje e cila, një ditë si të gjitha të tjerat, shkoi të mbushte ujë në pus e gjeti Jezusin, ulur aty pranë, lodhur nga udhëtimi e nga vapa e mesditës. E Krishti i foli për ujin e gjallë, që të shuan etjen e që gufon për jetën e pasosur.
“Etja e Krishtit është portë për të hyrë në misterin e Hyjit, që provoi etjen, për të shuar etjen tonë, ashtu si u bë i varfër, për të na pasuruar. Po, Hyji ka etje për fenë tonë e për dashurinë tonë”.
Ndërsa gruaja e Samarisë përfaqëson pakënaqësinë ekzistenciale të njeriut, i cili nuk e ka gjetur atë që kërkon: pati pesë burra e tani jeton me të gjashtin; ecejakja nga shtëpia tek pusi për të mbushur ujë – shpjegoi Papa – simbolizon jetën e njeriut që dorëzohet përballë së përditshmes, në të cilën s’bën tjetër, veçse të përsëritë të njëjtat veprime, e kështu deri në vdekje:
Të dashur vëllezër e motra, edhe ne i hapim sot zemrat, për të dëgjuar plot besim fjalën e Hyjit e për të takuar, si Samaritania, Jezusin, që na zbulon dashurinë e tij e na thotë: Mesia, shëlbuesi yt , ‘jam unë, që po të flas”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi popullsitë e zonës bregdetare të Ekuadorit, të tronditura nga përmbytjet e kohëve të fundit, që shkaktuan dëme të rënda, të cilave u shtohen edhe dëmet që pësuan nga shpërthimi i vullkanit Tungurahua.
Ndërsa ia besoj Hyjit viktimat e fatkeqësive të tilla, u shpreh afërsinë time të gjithë atyre që po jetojnë orë ankthi e trazimi dhe i ftoj të gjithë për solidaritet vëllazëror, në mënyrë që popullsitë e këtyre zonave të kthehen sa më shpejt në jetën normale të përditshme”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi takimin e së shtunës, 1 mars, në Sallën e Palit VI në Vatikan, ku duke nisur nga ora 17. 00, do të kryesosjë Lutjet mbrëmësore mariane me të rinjtë universitarë të Romës, në lidhje radiotelevizive me studentët e disa vendeve të Evropës e të Amerikës.
“I lutemi Virgjërës Mari, Selia e Dijes për ndërmjetësim, që shpresa e krishterë të ndihmojë në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë në këto dy kontinente e në mbarë botën. Të dashur miq universitarë, ju pres të gjithëve!”.
Në përshëndetjet përfundimtare, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Kebekut në Kanada, që këtë vit kremton 400-vjetorin e themelimit e që, më 1 qershorin e ardhshëm, do të mikpresë pjesëmarrësit në Kongresin eukaristik ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.