2008-02-25 17:57:46

Medvedev në Beograd: Rusia do të mbrojë sovranitetin serb në Kosovë.


(25.02.2008 RV)Vazhdojnë protestat e serbëve kundër pavarësisë së Kosovës, me probleme për rendin. Edhe sot në Mitrovicë, manifestuesit kanë djegur flamurin e Bashkimit Evropian. Gjithsesi, forcat ndërkombëtare kanë arritur të spostojnë dy kabina të përkohshme postoblloku, të cilat ishin vendosur aty ku serbët mendojnë se duhet të kalojë kufiri me shqiptarët.
Ndërkaq, sot ndodhej në Serbi pretendenti për presidencën ruse, Dmitrij Medvedev dhe ministri i jashtëm, Sergei Lavrov. Medvedev përsëriti qëllimin e Rusisë për të vazhduar mbrojtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën, por kryesisht u kujdes për interesat e Moskës në rajon. Në Beograd u nënshkrua krijimi i një firme të përbashkët ruso-serbe për realizimin e kalimit në territorin serb të të ashtuquajturit “South Stream”, gazsjellësit të projektuar nga kompania ruse Gazprom sëbashku me italianen Eni për transportimin e gazit rus drejt Ballkanit dhe drejt Evropës qendrore e jugore. Medvedev është kryetar i Këshillit Administrativ të Gazpromit.
Nga ana tjetër, edhe perëndimi lëviz në favor të Serbisë. Mbledhja e sotme e ambasadorëve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian i është kushtuar sidomos Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i Paktit, Jap de Hop Skefer, pas takimit me përfaqësuesin evropian për politikën e jashtme, Havier Solana, deklaroi se NATO ka ndërmend të bashkëpunojë maksimalisht me Serbinë për ta ndihmuar të kapërcejë deziluzionin për humbjen e Kosovës. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti për paqen në mbledhjen e fundit të Aleancës në Rigë, në nëntor 2006. Marrëdhëniet e NATO-s me vendet ballkanike do të shqyrtohen sërish në fillim të prillit në Bukuresht, ku vende si Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia shpresojnë të marrin ftesën për t’u bërë anëtare të Paktit.








All the contents on this site are copyrighted ©.