2008-02-24 17:45:31

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(24.02.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e tretë të Kohës së Krezhmëve. U përkujtuan edhe Eveci e Pjetri, martirë .

Nesër, e hënë, është festa e Shën Nestorit, ipeshkëv i Magjidos e martir. Liturgjia e festës së martirit na kujton se për t’u shëruar nga sëmundjet tona shpirtërore, duhet të heqim dorë nga mendjemadhësia, e të bëhemi të përvujtë, si Naamani, duke ia besuar gjithçka vullnetit të Hyjit.

Në se dëshiron të provosh faljen e mëshirën e Zotit, fale edhe ti të afërmin tënd, e do të ndjesh kënaqësinë e pafund të ndjesës hyjnore – na kujton liturgjia në festën e Shën Aleksandrit e të Shën Faustianit, ipeshkëv i Bolonjës, që do të përkujtohen të martën.

Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbëshme, klerik pasionist, të cilin Kisha do ta festojë të mërkurën, na kujton se dhjetë urdhërimet, që duhet t’i respektojë i krishteri, nisin me emrin e Tënzot, me ftesën për ta dëgjuar Fjalën e tij. E është pikërisht dëgjimi dhe vënia në jetë e fjalës së Zotit, ajo që e dallon të krishterin e vërtetë.

Në se duam t’i tregojmë botës se i përkasim Krishtit, duhet ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe ta zbatojmë në jetën tonë. Vetëm kështu njerëzit mund të binden se jemi të krishterë jo me fjalë boshe, me predikime të zbrazta, nga të cilat bota është e velur, por me vepra. Këtë na e kujton liturgjia e festës së Shën Romanit abat dhe Shën Osvaldit, që do të kremtohen të enjten.

 
Në festën e Shën Justinit e të Shën Hilarit, papë, të premten e ardhshme, përmes leximeve liturgjike, Profeti Oze na fton të bëjmë kthesë, të pendohemi e të largohemi nga idhujt që i kemi krijuar vetë në jetën tonë. Jezusi na tregon rrugën që duhet të ndjekim: të duam mbi gjithçka Hyjin e vëllezërit.

Shën Feliçi III papë e Shën Albini, ipeshkëv i Anzherit, që do të kremtohen të shtunën, na kujtojnë se jemi mësuar aq shumë të paraqitemi para të tjerëve me maska, sa rrezikohemi të fshehim pas tyre fytyrën tonë të vërtetë edhe atëhere kur lutemi, duke harruar se Zoti sheh përtej maskave e se na njeh ashtu si jemi vërtetë.

E diela e ardhshme është e katërta dhe e parafundit e Krezhmëve: vetëm dy javë na ndajnë nga Pashkët e ngjalljes: të shpejtojmë hapat!







All the contents on this site are copyrighted ©.