2008-02-23 18:26:12

Thirrje e Papës edukatorëve që të rigjejnë kuptimin dhe guximin e misionit të tyre.


(23.02.2008 RV)Duhet gjetur guximi për t’i edukuar të rinjtë me një ekulibër të drejtë ndërmjet lirisë e disiplinës, në një kohë kur shpesh herë prindërit e mësuesit e humbasin kuptimin e misionit të tyre. Këtë pohon Papa në Letrën e shkruar me rastin e Ditës së Shkollës katolike të dioqezës së Romës. Teksti, që mban datën 21 janar, u publikua më 23 janar 2008.
Në Letër, Papa thekson emergjencën edukative të kohës sonë. Nuk ka qenë kurrë e lehtë të edukosh – pohon Ati i Shenjtë – por sot duket se po bëhet gjithnjë më e vështirë… gjë që e dinë mirë si prindërit, ashtu edhe ata që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta edukative e që shikojnë gjithnjë më shpesh dështimin e përpjekjeve të tyre. Atëherë, në mënyrë të natyrshme, dënohen breznitë e reja, sikur fëmijët që lindin sot të ishin ndryshe nga ato që lindnin në të kaluarën.
Apo ndoshta duhet menduar se fajin e kanë të rritur, që nuk janë më të aftë për të edukuar? Sot si prindërit, ashtu edhe edukatorët, tundohen fuqimisht të heqin dorë nga misioni i tyre, madje në se kanë arritur ta kuptojnë këtë mision që u është besuar. Në të vërtetë – lexojmë akoma në Letrën papnore - ekziston një atmosferë, një mendësi e një formë kulture, që të bëjnë të dyshoh për vetë vlerën e njeriut e për vetë kuptimin e së vërtetës e të së mirës.
Kështu bëhet gjithnjë më urgjente kërkesa për një edukim që të jetë vërtetë i tillë. E kërkojnë prindërit, shpesh herë në ankth për ardhmërinë e bijve; e kërkojnë shumë mësues, që shqetësohen degradimin e shkollave të tyre; e kërkon shoqëria, që shikon të vihen në dyshim vetë bazat e bashkëjetesës; e kërkojnë, thellë në shpirt, edhe fëmijët e të rinjtë, që nuk duan të braktisen përballë sfidave të jetës.
Edukimi i vërtetë – shkruan Papa – ka nevojë për afërsinë e për besimin, që lindin nga dashuria. Edukatori i vërtetë e di se për të edukuar, duhet të dhurosh diçka nga vetvetja e se nuk mund të mjaftohesh vetëm në dhënien e koncepteve e të informacioneve, duke e lënë mënjanë pyetjen e madhe që ka të bëjë me kërkimin e së vërtetës, asaj së vërtete, e cila mund të jetë udhërrëfyese në jetë.
Edhe vuajtja – shkruan Papa - bën pjesë në jetën tonë. Prandaj, në se përpiqemi t’i mbrojmë të rinjtë nga vështirësitë e nga pervoja e dhimbjes, rrezikojmë të rrisim njerëz të brishtë e pak bujarë: nuk duhet harruar se aftësia për të dashur, përkon me aftësinë për të vuajtur së bashku.
Prej këndej, Papa thekson pikën më delikate të veprimtarisë edukative: gjetjen e ekuilibrit ndërmjet lirisë e disiplinës. Pa respektuar disa rregulla në sjellje e në jetë, duke i vlerësuar ditë për ditë edhe në gjërat më të vogla, nuk mund të formohet karakteri e nuk mund të përgatitemi për të përballuar provat, të cilat sigurisht nuk do të mungojnë në të ardhmen. Në takimin e dy lirive: asaj të edukimit të suksesshëm e asaj të formimit për përdorimin e drejtë të lirisë, Papa nxit të pranohet rreziku i formimit për përdorimin e drejtë të lirisë, duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë, ndihmës që u duhet dhënë të rinjve, të cilët duhen qortuar, pa ua fshehur gabimet, pa mbyllur njërin sy, ose edhe më keq, duke ua pranuar, si të ishin arritje e re e progresit njerëzor. Edukimi nuk mund të ecë përpara, në se nuk pranohet ushtrimi i autoritetit.
Përgjegjësia – vijon Papa – në radhë të parë është personale, por ka edhe një përgjegjësi tjetër, që u takon të gjithë qytetarëve. Është e nevojshme, prandaj, që secili nga ne, secili njeri, secila familje ose secili grup shoqëror, të japë ndihmesën e vet, që mbarë shoqëria të bëhet një mjedis i përshtatshëm për edukim.
Shpirti i edukimit, ashtu si i jetës - lexojmë akoma në tekstin papnor – mund të jetë vetëm një shpresë e besueshme. Sot shpresa jonë është e rrethuar nga të katër anët e ka rrezik që edhe ne, ashtu si paganët e lashtë, të bëhemi njerëz pa shpresë e pa Zot: prandaj mund të thuhet se sot, në rrënjët e krizës së edukimit, është kriza e besimit në jetën.Në përfundim Benedikti XVI u drejton të gjithëve ftesën për t’a mbështetur në Zotin gjithë besimin tonë, sepse vetëm Ai është shpresa që u bën ballë zhgënjimeve e nuk është kurrë shpresë individualistike, por gjithnjë shpresë për të tjerët; nuk na izolon, por na nxit të edukojmë njëri-tjetrin me të vërtetën e dashurinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.