2008-02-23 18:26:00

Benedikti XVI dioqezës së Romës: në shoqërinë ku sundon dyshimi e paqartësia, është gjithnjë e mundur që breznitë e reja të edukohen me vlerat e pamort të Ungjillit.


(23.02.2008 RV)RealAudioMP3 “Pavarësisht nga paqartësitë dhe përpjekjet e mjeteve të komunikimit për të imponuar modele të shëmtuara, edhe në kohën tonë është e mundur të jepet një edukatë e mirë”. Ky është mesazhi që u përcolli sot paradite Papa mijëra besimtarëve të dioqezës së Romë të cilët, të kryesuar nga kardinali- vikar, Kamilo Ruini, u mblodhën për të ndjekur reflektimin e Benediktit XVI mbi emergjencën edukative. Ishte reflektimi i shprehur në Letrën e nënshkruar më 21 janarin e kaluar e shpërndarë në një milion kopje ndërmjet besimtarëve të dioqezës. Të rinjtë, posaçërisht, Papa i porositi ta pranojnë pasurinë e krishterimit, që u siguron mundësitë për një zhvillim të shëndoshë moral, kulturor e shpirtëror.
Papa, pra, e nxori ‘sfidën e madhe’ të edukimit në shesh, përballë 50 mijë vetëve që punojnë në fushën e edukimit të të rinjve: prindër, mësues, rregulltarë, katekistë e, natyrisht, shumë të rinj.
Sot - tha Benedikti XVI, duke u folur besimtarëve të dioqezës, si ipeshkvi i tyre - në fushën e edukimit ndjehet një shqetësim jo i pakët, një emergjencë e vërtetë edukative:
“Të edukosh nuk ka qenë kurrë e lehtë – pohoi Ati i Shenjtë – por sot duket se po bëhet gjithnjë më e vështirë… gjë që e dinë mirë si prindërit, ashtu edhe ata që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta edukative e që shikojnë gjithnjë më shpesh dështimin e përpjekjeve të tyre. Atëherë, në mënyrë të natyrshme, dënohen breznitë e reja, sikur fëmijët që lindin sot të ishin ndryshe nga ato që lindnin në të kaluarën”.
E kjo, sepse shumë dyshime qarkullojnë në shoqërinë tonë e në kulturën tonë; të shumta janë figurat e shëmtuara që propozojnë mjetet e komunikimit. Kështu vështirësohen edhe më shumë përpjekjet për t’u propozuar breznive të reja diçka të vlefshme e të sigurtë, mënyra sjelljeje e qëllime, për të cilat ia vlen ta shkrish gjithë jetën”.
Po ne s’e humbasim kurrë shpresën. Prandaj jemi mbledhur sot këtu – vijoi Papa – sepse na bashkojnë feja e shpresa, shpresë që lind nga besimi në Krishtin e nga vlerat e Ungjillit.
Në vijim Ati i Shenjtë i inkurajoi një nga një kategoritë e ndryshme të edukatorëve: prindërit i porositi t’i edukojnë fëmijët ta dallojnë të mirën nga e keqja me shembullin e jetës së tyre e të fesë së tyre;
mësuesit - të mos kufizohen në dhënien e nocioneve e të informacioneve por, në përkim të plotë me prindërit, ta ushtrojnë me mjeshtri artin fisnik të formimit të njeriut;
klerit, rregulltarëve e katekistëve, Benedikti XVI u kujtoi se për t’u propozuar të rinjve Krishtin, duhet së pari të jenë vetë dëshmitarë të sinqertë e të guximshëm të lirisë që i bën njerëzit vërtetë të lirë;
masës vigane të të rinjve, që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u kujtoi se nuk janë thjeshtë objekt i edukimit, por protagonistë të tij.Hyji është mik i fshehtë i zemrave tona; Ai dëshron ta ndriçojë dhe e ndriçon jetën tonë – tha në përfundim Benedikti XVI - “Atij mund t’i besojmë plotësisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.