2008-02-22 18:19:50

Benedikti XVI në Mesazhin drejtuar ipeshkvijve kubanë: “Kuba t’ia hapë zemrën Krishtit.


(22.02.2008 RV)“Papa është pranë popullit kuban e lutet që ai t’ia hapë mendjen, zemrën e jetën Krishtit, të vetmit Shëlbues e Shpërblyes”- këtë lexojmë në Mesazhin që Benedikti XVI u dërgoi ipeshkvijve të Kubës me rastin e vizitës së kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili ndodhet që pardje në ishullin karaibik, për të marrë pjesë në kremtimet, organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të shtegtimit historik të Gjon Palit II në Kubë.
Papa i fton katolikët, të cilët shpesh herë e ndjejnë veten të shtypur nën peshën e rëndë të vështirësive, të mungesës së burimeve të jetesës, të indiferencës e edhe të mosbesimit, t’i japin një hov të ri ungjillëzimit të vendit, duke predikuar doktrinën e drejtë e duke kujtuar se Kisha dëshiron të mbrojë dinjitetin e njeriut e të mbjellë farën e mirë të mirëkuptimit, të mëshirës e të pajtimit.
Ka shumë të përbashkëta ndërmjet jetës shpirtërore të katolikëve kubanë e atyre shqiptarë. Na i kujton menjëherë këto të përbashkëta thirrja e Benediktit XVI “Mos u tremb grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë e tij”. Janë të njëjtat fjalë, të cilat Papa Gjon Pali II ia pati drejtuar grigjës së vogël të katolikëve shqiptarë më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, e ua pati përsëritur gjatë vizitës së tij historike më 25 prill 1993.
E thirrja e Papës Racinger drejtuar ipeshkvijve kubanë, përfundon duke u kujtuar katolikëve se besimtari e di që mund ta mbështesë gjithnjë shpresën në Jezu Krishtin, Zotin tonë, që nuk të zhgënjen kurrë (cfr Sel 1,3), e se një dritë e vogël mund të ndriçojë gjithë shtëpinë, ashtu si pakëz tharm mund të mbrujë gjithë masën. (cfr Mt 13, 33). Sa herë gjestet e vogla të miqësisë e të vullnetit të mirë, gjeste të thjeshta e të përditshme respekti e vëmendjeje ndaj atij që vuan ose përkushtimi pa interes për të tjerët, e bëjnë tejèt të dukshme dashurinë pa kufi të Hyjit për të gjithë e për secilin - shkruan Papa, e në vijim u bën thirrje ipeshkvijve të ishullit karaibik:“Të dashur vëllezër! Në duart tuaja është vreshta e Hyjit në Kubë, ku Ungjilli ka filluar të kumtohet pesë shekuj më parë, duke ndikuar fuqimisht në lindjen e Kombit…. Ju e dini se Papa është gjithnjë pranë jush, ashtu si janë pranë jush, me lutjen e bashkëpunimin e tyre, edhe kishat e tjera të përhapura në mbarë botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.