365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(22.02.2008 RV)22 shkurt: Gregori
i Madh që vijon të na mësojë se për të qenë të mëdhenj, duhet të bëhemi të vegjël. Papa
ynë Pelagjio vdiq nga murtaja! Banorët e Romës tmerrohen. Jemi në fillim të vitit
589 e prej disa javësh mbi qytetin vijon një epidemi shkatrrimtare. Si gjithnjë, një
kob ndjell tjetrin! Kobet nisën me sulmin e barbarëve, vijuan me një përmbytje të
frikshme që vërshoi mbi Romën, në sa tani ia behu murtaja, që po mbyt me qindra banorë
të qytetit, duke mos e kursyer as papën. Romakët më trima i nxisin të tjerët të
mos dorëzohen: nuk duhet ndenjur duarkryq, duhet vepruar. Duhet zgjedhur, së pari,
një papë i ri, një papë i mirë e i fortë, i zoti ta ndihmojë Kishën për ta kapërcyer
këtë çast të hatashëm. Po kush i ka këto merita? Shumë shpejt të gjithë janë një mendje:
këto merita i ka murgu Gregor! Njeri shembullor, që jeton në kuvend, ai është bërë
i famshëm për mirësinë e tij. Po Gregori nuk ka as dëshirën më të vogël të bëhet
papë. Kur romakët shkojnë ta marrin në kuvendin e tij, ai kërkon të bëjë bisht: i
do tepër heshtjen e uratën, prandaj i lut romakët të kenë mëshirë për të e ta lenë
aty ku është, në heshtjen e kuvendit, ku ndjehet fuqimisht fryma e misterit. Por populli
e priftërinjtë nuk duan t’ia dinë. Atëherë Gregori detyrohet ta pranojë detyrën
që i besohet… Në se ky është vullneti i Hyjit, nuk ka të drejtë të ankohet, aq më
pak të kundërshtojë. Bën çmos të jetë papë i mirë, pikërisht ashtu siç ishte murg
i mirë. Dëshiron vetëm një gjë “Të bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të Krishtit”. Papa
- mendon Gregori – nuk duhet të jetë njeri i pasur, as i fuqishëm, por njeri i përvuajtur,
që e vë gjithë pushtetin e tij në shërbim të njerëzve, të Kishës e, sidomos, të Hyjit.Gregori
është njeri me këmbë në tokë. Një t’u bërë papë, fillon menjëherë ta riorganizojë
Kishën. Emëron disa njerëz të besueshëm për të mbarështuar pasuritë e Kishës: paraja
duhet përdorur për të ndihmuar të varfërit, për të çliruar skllevërit, për të luftuar
kundër urisë e sëmundjeve. Gregori emëron edhe njerëz të tjerë për të shkuar larg
nga Roma e për ta njoftuar për gjithçka ndodh në botë. Ka shumë rëndësi për papën
– mos të harrojmë: papë do të thotë atë – të marrë gjithnjë lajme të freskëta për
jetën e bijve të përhapur në mbarë botën. Asokohe nuk kishte televizione, as gazeta
e Roma shpesh herë ndjehej e shkëputur nga pjesa tjetër e botës, posaçërisht në kohë
lufte dhe epidemish, si kjo që po shkretonte qytetin. Murgu i thjeshtë, që u ngrit
në rangun e papës, bëri shumë të mira për Kishën e për Romën, së cilës ia riktheu
shpresat e humbura për shkak të gjithë këtyre fatkeqësive. Prandaj e quajtën Gregori
i Madh. Deshën ta falënderonin që, duke u bërë i madh, kishte mbetur kaq i përvuajtur
e i vogël para syve të Hyjit!